Lajme

Miratohet raporti me amandamente për Institutin e Krimeve të Luftës


Ilustrim.

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit të mërkurën e ka miratuar raportin me amandamente për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

Këto amandamente të propozuara nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë shkuar në seancë pa përkrahje të Komisionit për Legjislacion.

Kryetari Adnan Rrustemi, deklaroi “se nuk është gjetur pajtueshmëria për gjashtë amendamentet e propozuara nga partia në fjalë”.

Më 10 nëntor të 2021, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës kishte miratuar Koncept-dokumentin për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kurse më 16 maj të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës, kishte miratuar rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid.

Për hartimin e kësaj Rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të Rezolutës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Ndërkaq, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, 2 mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth 1 mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, ka rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë ku përfshihej edhe Kosova t’i hetojnë dhe trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore