Shqipëria

Miratohet marrëveshja për pensionet mes Shqipërisë dhe Zvicrës


Parlamenti zviceran miratoi me 129 vota pro dhe 52 kundër marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Shqipërinë, e cila u firmos në Tiranë më 18 shkurt.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

“Faleminderit Qeverisë Zvicerane, parlamentarëve zviceranë dhe padiskutim ekipeve teknike të përbashkëta, të cilat punuan pa u lodhur për këtë marrëveshje të shumëpritur për shqiptarët që punojnë e kontribuojnë në Zvicrën mike”, shkruan kryediplomatja shqiptare.

Këshilli Federal i Zvicrës, në mbledhjen e datës 24 gusht 2022, përcolli për miratim në parlament “Marrëveshjen për Sigurimet Shoqërore”.

Marrëveshja, u firmos fillimisht më 18 shkurt të këtij viti, në Tiranë, nga ministri për Punët e Brendshme të Zvicrës, Alain Berset dhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë, Delina Ibrahimaj.

Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë rreth 3 mijë shqiptarë që jetojnë në Zvicër.

Ky vendim mes Shqipërisë dhe Zvicrës synon kryesisht koordinimin për pensionin e pleqërisë, statusin e invaliditetit, të të mbijetuarit, garanton trajtim të barabartë të të siguruarve, disiplinon derdhjen e kontributeve jashtë vendit dhe eviton rastet e taksimit të dyfishtë apo abuzimeve.

Me këtë marrëveshje, të gjithë shtetasit shqiptarë që punojnë rregullisht në Zvicër, do të përfitojnë pensionin me mbushjen e moshës, duke mos humbur asnjë ditë nga periudha kontributive.

Miratimi i marrëveshjes në Parlamentet e dy vendeve, konkretizoi punën disavjeçare të qeverisë së Republikës së Shqipërisë me institucionet kompetente zvicerane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore