Miratohet ligji i Dodik-ut për kriminalizimin e shpifjes, e kundërshton ShBA-ja

SHFLETO
Dini Fetahu
20.07.2023 21:01
Loading Icons...

Asambleja Kombëtare e Republikës Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – në seancën e së enjtes ka miratuar ndryshimet në Kodin Penal të RS-së, përmes të cilave parashihet që sërish të penalizohet shpifja, dhe krejt kjo u bë pavarësisht protestave të komunitetit mediatik atje, aktivistëve joqeveritar dhe qytetarëve të tjerë, pasi që argumentojnë që do të kufizojë lirinë e shprehjes dhe do t’i heshtë kritikët e medias.

Nga 83 ligjvënës sa ka Asambleja e RS-së, në votim kanë marrë pjesë 63, prej të cilëve 47 kanë votuar pro, ndërsa 16 prej tyre kanë abstenuar.

Ligji tani duhet të kalojë procedurën në Këshillin e Popullit të RS-së, pas së cilës, nëse nuk ka veto, mund të hyjë në fuqi.

Mirëpo, kundër këtij ligji ka dalur ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje e Hercegovinë.

Ata kanë deklaruar se ky ligj i kërcënon qytetarët për të folur lirshëm, mundësinë e mediave të pavarura që të raportojnë për të vërtetën, e rrezikon demokracinë dhe të ardhmen euro-atlantike të Bosnjës.

“Ata që e kanë hartuar dhe mbështetur këtë legjislacion shtypës e kanë çuar Republikën Srpska një hap më poshtë në rrugën drejt autoritarizmit. Ky legjislacion jodemokratik shërben vetëm për përfitim të koalicionit qeverisës që ta rrisë pushtetin dhe t’i shmanget llogaridhënies, si dhe i dëmton interesat e tyre që jetojnë në Republikën Srpska”, kanë shkruar ata në “Twitter”.

Përveç ambasadës së ShBA-së, kundërshtime kanë ardhur edhe nga organizatat e gazetarëve në Republikën Srpska, dhe organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut.

Ata kanë bërë thirrje që ky ligj të mos miratohet, por këto thirrje nuk i ka përfillur presidenti ultra-nacionalist i RS-së, Millorad Dodik.

“Me miratimin e sotëm të ndryshimeve në Ligjin Penal, autoritetet e Republikës Srpska kanë hyrë në një fazë të re të shtypjes së hapur të qytetarëve dhe u janë bashkuar regjimeve më të këqija autoriteteve në këtë pjesë të botës”, ka thënë organizata Transparency International.