Shqipëria

Miratimi i marrëveshjes për emigrantët, Meloni: Falënderojmë Ramën, institucionet dhe popullin shqiptar


Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar pasi Kuvendi i Shqipërisë miratoi marrëveshjen e emigrantëve mes Shqipërisë dhe Italisë.

Përmes një postimi në rrjete sociale ka falënderuar kryeministrin Edi Rama, institucionet dhe popullin shqiptar.

“Kuvendi i Shqipërisë ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Italinë kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore. Falënderojmë kryeministrin Edi Rama, institucionet dhe popullin shqiptar për miqësinë dhe bashkëpunimin”, ka shkruar Meloni.

Ka kaluar me votat e shumicës marrëveshja e emigrantëve me Italinë, në një seancë plenare, e cila ka zgjatur vetëm pak minuta, teksa projektligji për Amnistinë Penale është tërhequr nga votimi prej Partisë Socialiste.

“Surprizë” e këtij votimi, nëse mund të quhet i tillë, ka qenë votimi pro marrëveshjes nga ana e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet, duke bashkuar votat me mazhorancës socialiste, edhe pse këto të fundit nuk ishin të domosdoshme.

Arsyetimi për këtë ka ardhur nga deputetja Mesil Doda, e cila pas seancës ka theksuar se ka një vendim të Kushtetueses mbi këtë çështje dhe kësisoj PDIU e mbështet, duke mbajtur parasysh edhe raportet miqësore mes Shqipërisë dhe Italisë.

Marrëveshja

Qeveria shqiptare, të martën e 7 nëntorit, ka zbardhur Protokollin e firmosur ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

Kështu bëhet me dije se marrëveshja për strehimin e emigrantëve – të kapur në det nga Italia – në dy qendrat e ndërtuara në Shqipëri, do të zgjasë plot pesë vite.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori.

Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci.

Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare.

Neni 3 i kësaj marrëveshjeje përcakton se shteti fqinj merr në përdorim sipërfaqe të territorit shqiptar për ngritjen e strukturave pritëse të cilat parashikohen të ngrihen në Shëngjin dhe në Gjadër.

Neni 4, që është pika kryesore e këtij protokolli thekson se Italia ngre tërësisht me shpenzimet e saj, strukturat për qëndrimin e migrantëve.

Kufiri maksimal i pritjes së së të huajve do të jetë jo më shumë se 3 mijë persona të strehuar në të njëjtën kohë.

Gjithashtu Italia do të përballojë çdo shpenzim për të strehuarit, duke përfshirë kostot e kujdesit shëndetësor dhe tjetër të parashikuar që mund t’i vijë palës shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore