Shqipëria

Mira Murati i kthehet punës me OpenAI: Misioni vazhdon


Mira Murati është kthyer në ekipin drejtues të OpenAI dhe ajo nuk e ka fshehur përmes një publikimi në median sociale X, njohur më parë si Twitter, lumturinë e rikthimit në krah të Sam Altman dhe Greg Brockman (dy prej bashkëthemeluesve të kompanisë).

“Ekipi i OpenAI është i pazëvendësueshëm — nuk mund të isha më i lumtur që do të kthehesha në punë së bashku me Sam Altman dhe Greg Brockman”, shkruan Murati. “Misioni vazhdon”.

Çështja e OpenAI e pushtoi gjithë botën furimthi, kur Sam Altman, drejtuesi i kompanisë, u shkarkua në mënyrë spektakolare me një vendim të fshehtë të katër prej gjashtë anëtarëve të bordit.

Vetëm disa ditë pas shkarkimit të tij të papritur si shef ekzekutiv dhe reagimit të punonjësve, që kërcënuan të minonin atë që ka qenë kompania lider në industrinë e re të inteligjencës artificiale, OpenAI njoftoi rikthimin e Altman në pozitë.

“Ne kemi arritur një marrëveshje në parim që Sam Altman të kthehet në OpenAI si shefi ekzekutiv me një bord të ri fillestar të Bret Taylor (Kryetar), Larry Summers dhe Adam D’Angelo”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Ndërkohë, një ditë e pak orë ka qenë kohëzgjatja e Muratit në krye të OpenAI, i cili u bë i njohur në botë për hedhjen në treg të botit ChatGPT – platformë e Inteligjencës Artificiale, e cila ndërvepron me njerëzit.

Murati, pas largimit të Altman, ishte vendosur në detyrën e përkohshme të drejtueses së kompanisë, po me vendim bordi.

Por, këta të fundit, e kanë shkarkuar edhe atë sa bëhet me dije nga mediat teknologjike, të cilat kanë raportuar lajmin.

Nuk dihet nëse Murati ka pasur apo jo konflikt brenda OpenAI, por ajo ka publikuar një status të thjeshtë në median sociale X, njohur më parë si Twitter, ku përshkruan: OpenAI nuk është asgjë pa njerëzit e tij.

Mund të merret kjo edhe si një lamtumirë nga Mira Murati, e cila e ka treguar se nuk ishte dakord me shkarkimin e atillë të Altman nga pozita drejtuese në kompani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore