Lajme

Ministrja Haxhiu kërkon identifikim dhe gjykim të kriminelëve në veri “menjëherë dhe pa vonesa”


Albulena haxhiu, Ministre e Drejtësisë në Kosovë

“Menjëherë dhe pa vonesa duhet të identifikohet secili kriminel, të ndiqen dhe gjykohen për veprimet e tyre kriminale”, ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se pika e parë në planin e kryeministrit Albin Kurtit për shtensionimin e situatës në veri të vendit ka të bëjë me sundimin e ligjit në katër komunat veriore, duke identifikuar e ndjekur penalisht të gjithë anëtarët e grupeve kriminale.

“Të sigurohet/krijohet menjëherë sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, duke përfshirë ndër të tjera identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë e Kosovës, anëtarët e NATO-s dhe gazetarët”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

“Pas angazhimit të madh nga ana e policisë së Republikës së Kosovës është jetike që institucionet e drejtësisë të jenë në krye të detyrës dhe të ndërmarrin veprime në përputhje me përgjegjësitë e tyre”.

Ministrja Haxhiu ka shtuar se nuk duhet të tolerohen apo neglizhohen aktet kriminale të grupeve kriminale “në asnjë mënyrë”.

“Sulmet ndaj policisë, mediave apo anëtarëve të NATO-s dhe veprimet që cenojnë rendin kushtetues nuk duhet të normalizohen por të ndiqen e të dënohen”.

“Disa nga pjesëtarët e grupeve kriminale janë në paraburgim, por janë edhe tre raste të personave të dyshuar që janë liruar në procedura të rregullta”, ka përfunduar ajo.

Ndërkaq, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka treguar se këtë të martë Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkoviç, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që “ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka deklaruar Sveçla.

Sveçla ndër të tjera ka bërë të ditur se “gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë të lënduar lehtë”.

“Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cënuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë. Republika nuk do të zmbrapset”.

Ky veprim i forcave të rendit në Kosovë, ka indinjuar serbët lokalë, të cilët janë grumbulluar në rrugët e Mitrovicës së Veriut.

Gjersa Policia e Kosovës ka zbatuar urdhrin për arrestimin e të dyshuarit, në Veri të Kosovës është lëshuar alarmi, alarm i cili njihet gjerësisht si një mënyrë për të mobilizuar serbët lokalë.

Nga pamjet e publikuara në mediat lokale shihen se në mesin e protestuesve ka nga ata që janë me maska, që dyshohet të jenë anëtarë të grupeve kriminale.

Gjatë aksionit të arrestimit të serbit kanë mbetur të lënduar lehtë tre policë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore