Kosova

Ministrja Hajdari për rritjen e çmimeve: Caktohen nga berza, siç ka thënë kryeministri ‘ne s’i kontrollojmë çmimet’


Rozeta Hajdari ne konference per media

“Çmimet nuk i kontrollon qeveria”, ka thënë ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, kur është pyetur nga gazetarët në një konferencë për media për fluturimin e çmimit të naftës dhe produkteve të tjera esenciale.

“Siç e dini”, deklaroi Hajdari, “për çmimin e naftës që është duke u rritur, pra për të gjitha këto produkte që janë esenciale janë edhe produkte që çmimi u caktohet nga berza”.

Përveç arsyeve globale për këto rritje çmimesh, që sipas ministres janë edhe “lufta në Ukrainë dhe shtrenjtimi i transportit post-COVID’19”, një arsye shtesë për rritjen e çmimeve në Kosovë, ajo tha të jetë edhe sasia e tejet e madhe e produkteve që importohen.

“Ne jemi një shtet që transportojmë 90% të produkteve, sidomos ato ushqimore dhe ato ndërtimore”.

Ndërsa ka cituar kryeministrin, i cili para disa ditësh u shfajësua për ngritjen e çmimeve duke thënë se “ne nuk mund t’i kontrollojmë çmimet”.

Megjithatë, një gjë mund ta bëjmë, tha Hajdari, e ajo është “të marrim masa”.

“Kemi marrë masa duke filluar nga nafta, për të mirë të qytetarëve duke e ditur se ka devijime në caktim të çmimit në treg, duke e ditur që tregtarët furnizohen dje në Durrës e sot caktojnë çmim sipas berzës”.

“Kjo nuk është një lojë fer dhe në bashkëpunim me autoritetin kosovar të konkurrencës ne do t’i identifikojmë këto marrëveshjeve të përbashkëta në treg, sepse nganjëherë thonë që nuk kemi stoqe”.

Megjithatë, Hajdari deklaron se “Kosova s’është në bllokadë” dhe tregtia po vazhdon të bëhet me të gjitha shtete e rajonit.

Ajo ka premtuar po ashtu se politikat e qeverisë dhe masat që do marrin do u përshtaten qytetarëve dhe “jo vetëm natarëve”.

Por, “edhe bizneset, mos t’i harrojmë”.

Ministrja ka njoftuar edhe se ka pasur biseda me zyrtarë të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut dhe nga komunikimi me ta i rezulton se “nuk ka vend për t’u shqetësuar”.

Aktualisht çmimi i naftës në Kosovë është 1 euro e 70 centë, çmimi më i lartë ky që nga paslufta në Kosovë.

Por, shifrat mund të hipin akoma më shumë. Disa natarë kanë paralajmëruar se ka mundësi që në një të ardhme një litër të shkojë deri në 3.5 euro.

Çmimet janë rritur papërjashtim në gjithë botën. Shqetësimi po ashtu është global.

Edhe një nga zërat më autoritativ sa i përket ekonomisë botërore, fituesi i çmimit Nobel për Ekonomi, Paul Krugman, në një kolumne për The New York Times, ka shkruar se lufta mes Ukrainës dhe Rusisë, pos agresionit do sjell edhe rritje çmimesh.

“Rusia është eksportuese shumë e madhe e naftës dhe gazit natyror dhe gjithashtu bashkë me Ukrainën janë eksportues të mëdhenj të grurit, prandaj lufta ka dhe do të ketë ndikim edhe në çmimet e energjisë dhe gjithashtu në rritje të çmimit të ushqimit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore