Kosova

Ministrja Hajdari për reciprocitetin me Serbinë: Sot jam keqkuptuar


Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se deklarata e saj, e dhënë në konferencën rajonale të organizuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit, është keqinterpretuar.

Ajo ka mohuar të ketë thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve.

“Unë nuk kam thënë se reciprociteti nuk është zgjidhje e problemeve, por kam thënë se nuk kam dashur që t’i vendosim menjëherë masat e reciprocitetit me Serbinë”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Aktualisht po i finalizojmë analizat e gjendjes së raportit tregtar, para se të veprojmë. Tani kemi edhe drejtor të ri të doganave dhe meqë shumë prej barrierave të Serbisë nuk janë sistemike por sporadike, ne na duhet t’i përgatisim mirë zyrtarët tanë doganorë për ta zbatuar reciprocitetin”.

Hajdari ka thënë se në “Qeverinë Kurti 1” e patën vendosur reciprocitetin gradual pas dy muajve dhe se sipas saj reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve.

Deklarata e Hajdarit nxiti reagimin e partive opozitare, që e akuzuan atë dhe Qeverinë se ka hequr dorë nga premtimi gjatë fushatës për reciprocitet me Serbinë.

“Nuk kam dashur që të sjellë menjëherë masa të reciprocitetit me asnjë shtet fqinj, jam e interesuar të zgjedhim problemet përmes mekanizmave rajonalë që i kemi tani, duke filluar nga CEFTA, nga Këshilli i Evropës dhe Këshilli Rajonal për Bashkëpunim”, kishte deklaruar ajo të marten.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një statusi në Facebook ka shkruar se ”për Kurtin ka shumë kohë që reciprociteti ndaj Serbisë nuk është zgjidhje e problemeve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore