Shqipëria

Ministrja gjermane e Evropës viziton sot Tiranën, fokus integrimi evropian


Ministria gjermane e Evropës, Anna Lührmann, do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë të martën e 18 janarit.

Ajo do të pritet në Kryeministri në orën 9:30 nga zëvendëskryeministri, Arben Ahmetaj.

Në fokus të takimit do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Veç përfaqësuesve të shoqërisë civile, ministrja do të zhvillojë edhe një takim me Albert Hanin, kryetari i Byrosë Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Në Tiranë, ajo do të adresojë në biseda dypalëshe problemet e mundshme dhe do të diskutojë për rolin e Shqipërisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në takimin e saj me Këshillin e Ministrave të Evropës, që u mbajt më 14 dhjetor në Bruksel, ajo kërkoi fillimin e konferencave ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në mesazhin e saj para udhëtimit drejt Tiranës e Shkupit, ministrja gjermane për Evropën ka deklaruar për se “të dyja vendet i kanë plotësuar kushtet, prandaj duhet të fillojnë menjëherë bisedimet”.

Politikë që në moshën 10-vjeçare

Anna Lührmann është 38 vjeçe, por politikën e ka nisur qysh në moshë të re.

Në moshën 19-vjeçare, ajo ka qenë deputetja më e re në moshë e Bundestag-ut Gjerman.

Më pas ka punuar si profesore.

Emërimi i saj në postin e ministres së Evropës, erdhi si vendim i ministres së Jashtme, Annalena Baerbock.

Në vitin 2002, në një intervistë, ajo kishte thënë se kishte marrë pjesë në diskutime politike qysh në moshën 10-vjeçare.

Pas dy legjislaturash të suksesshme për partinë e gjelbër u caktua të shkonte në Sudan si anëtare e Komisionit Parlamentar për Çështje të Jashtëm.

Në këtë periudhë iu përkushtua më shumë karrierës shkencore, si politologe. Më pas ka marrë edhe titullin profesore junior dhe docente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore