Shqipëria

Ministrja e Jashtme kanadeze do të vizitojë Shqipërinë, takim me Ramën për shtetin e së drejtës


Ministrja e Jashtme kanadeze, Melanie Joly, do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri, ku pritet të ketë edhe një takim me kryeministrin Edi Rama, me temë kryesore diskutimi shtetin e së drejtës dhe barazinë.

Kjo është pjesë e një fushate takimesh për kryediplomaten kanadeze, e cila do të jetë fillimisht në Slloveni, më tej në Maqedoninë e Veriut dhe përfundimisht në Shqipëri.

Kështu kanë bërë me dije mediat kryesore kanadeze, pa specifikuar agjendën e plotë të saj.

Disa detaje megjithatë, janë zbuluar.

Ky tur pason një angazhim të anëtarëve të aleancës ushtarake të NATO-s për të mbështetur demokracitë që përballen me ndërhyrjen dhe dezinformimin rus.

Në Slloveni, Joly do të marrë pjesë në një panel diskutimi mbi multilateralizmin në Forumin Strategjik të Bled, një konferencë vjetore rreth sigurisë dhe zhvillimit në Evropën Juglindore.

Ajo planifikon të takohet me zyrtarë qeveritarë nga Moldavia dhe opozita e Bjellorusisë, me të dyja vendet që përballen me forcat antidemokratike të mbështetura nga Moska.

Në Maqedoninë e Veriut, Joly do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe ministrat e tij të lartë, për të diskutuar çështjet e tregtisë dhe mbrojtjes.

Në Shqipëri, ajo do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarët e kabinetit të tij për çështjet e shtetit të së drejtës dhe barazisë, thuhet në një njoftim për shtyp.

Zyra e Joly-t thotë se udhëtimi është pjesë e një plani që ajo njoftoi në maj, i cili kërkonte që Global Affairs Canada të angazhohej më shumë me Kombet e Bashkuara. Shqipëria mban një vend të përkohshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, i cili do t’i transferohet Sllovenisë vitin e ardhshëm.

Maqedonia e Veriut, ndërkohë, kryeson Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, organizata më e madhe e sigurisë në kontinent dhe një nga forumet e fundit ku Rusia dhe Perëndimi mund të diskutojnë mbrojtjen dhe konfliktin.

Udhëtimi synon “të dëgjojë përvojën e vendeve në rajon dhe të eksplorojë mënyra konkrete për të mbështetur këta partnerë”, shkroi zyra e saj në një deklaratë, duke i quajtur të tre vendet “partnerët kryesorë për Kanadanë” në kontinent.

“Vlerat tona të përbashkëta, duke përfshirë mbrojtjen e demokracisë dhe ndjekjen e një rendi botëror të bazuar në rregulla, na bashkojnë”, citohet të ketë thënë Joly.

Udhëtimi i saj vjen pasi Maqedonia e Veriut ndërmerr reforma të vështira politikisht si pjesë e përpjekjes së saj shumëvjeçare për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Në vitin 2019, vendi pranoi kërkesat e Greqisë për të shtuar fjalën “Veri” në emrin e saj. Kohët e fundit, Bullgaria ka kërkuar që vendi të njohë bullgarët etnikë në një listë zyrtare të grupeve që banojnë në Maqedoninë e Veriut, një veprim i kundërshtuar nga partitë konservatore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore