Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes merr miratimin për ndërtimin e infrastrukturës në bazën ajrore të Kuçovës


Komisioni i Prokurimit Publik i ka dhënë miratimin Ministrisë së Mbrojtjes që te vijojë me hapat e finalizimit të procedurës mbi ndërtimin e infrastrukturës në bazën ajrore të Kuçovës.

Vendimi ka ardhur pak kohë pas rekomandimit për të korrigjuar në sistem vlerësimin e bërë nga Komisioni pas një ankimimi të bërë nga një prej operatorëve pjesëmarrës në procedurë.

Tashmë, sipas KPP, ky hap është ezauruar dhe korrigjimi është bërë në sistem dhe mund të vijohet me procedurën e njoftimit dhe lidhjes së kontratës për projektin me fond limit 290 milionë lekë.

“Komisioni i Prokurimit Publik verifikoi veprimet e kryera në sistemin e prokurimeve elektronike, lidhur me zbatimin e vendimit Nr. 38/2024, date 10.01.2024, te Komisionit te Prokurimit Publik. Nga ky verifikim rezultoi, se autoriteti kontraktor kreu rivlerësimin ne sistem të ofertës, duke korrigjuar arsyet e s’kualifikimit për bashkimin e operatoreve ekonomike MF INVEST GROUP SHPK & ALKO-IMPEX General Construction d.shh, në zbatim te vendimit Nr. 38/2024, date 10.01.2024”, thuhet në vendim.

Në relacionin teknik të projektit, ministria ka sqaruar se ndërtimi i hangarëve dhe mjediseve për mirëmbajtjen, riparimin dhe testimin në bazën ajrore të Kuçovës ishte parashikuar që në planin buxhetor 2023.

“Hangarët e rinj që do të ndërtohen janë objekte të rëndësisë së veçantë. Projekti ‘Ndërtim i infrastrukturës së nevojshme për UVA në bazën ajrore, Kuçovë’ është duke u bërë duke pasur parasysh kushtet teknike dhe zbatimin e akteve ligjore të nevojshme për sigurinë”.

Baza ajrore e Kuçovës u ndërtua në vitet 1950 për të pritur avionët e Forcave Ajrore Shqiptare.

Ajo u rikthye në vëmendje viteve të fundit me një investim të mbështetur nga NATO ku Shqipëria u anëtarësua në vitin 2009.

Në fazën e parë të modernizimit të kësaj baze u llogaritën investime prej 50 milionë eurosh.

Kontributi i palës shqiptare llogaritet në rreth 10% të vlerës së përgjithshme të investimit në këtë bazë, e cila me investimin e NATO-s do të kthehet në një bazë taktike të dislokueshme.

Sakaq, më herët është deklaruar se punimet do të përfundonin në fund të vitit të shkuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore