Shqipëria

Ministria e Mbrojtjes bën bilancin pas reshjeve intensive në vend


Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka përditësuar bilancin e situatës në vend pas reshjeve intensive të javës që lamë pas.

Sipas njoftimit zyrtar të zëdhënëses, në qarkun e Shkodrës sipërfaqja e përmbytur është 1 mijë e 220 hektarë, ku 1 mijë e 200 hektarë janë në njësinë administrative Ana e Malit dhe 20 hektarë në njësinë administrative Dajç.

Në qarkun e Lezhës uji ka filluar tërheqjen nga zonat e përmbytura duke e çuar sipërfaqjen e përmbytur në 530 hektarë nga 770 hektarë që ishte ditën e djeshme, në ish-kënetën Gjonem 200 hektarë, në njësinë administrative Balldren 180 hektarë dhe në njësinë Zejmen 150 hektarë.

Institucioni sqaroi se vijon të mbetet i bllokuar nga orteqet e dëborës aksi Bogë-Theth, ku ndërhyrja është e pamundur.

Rruga e Obotit vijon me prezencë uji edhe ditën e sotme me një nivel 60 centimetra, për të cilën janë në gatishmëri një mjet i kalueshmërisë së lartë i FA-ve të cilët mundësojnë transportin në atë rrugë.

Gjithashtu rruga e Arbrit ditën e djeshme ka qënë e bllokuar si pasojë e reshjeve të borës pa ndërprerje, ditën e sotme vijon qarkullimi normalisht, shtoi njoftimi.

Nuk kanë munguar edhe rëniet e inerteve dhe gurëve në rrugët nacionale dhe rurale për të cilat strukturat vendore dhe firmat kontraktore kanë ndërhyrë në kohë për pastrimin e tyre.

Si pasojë e reshjeve kanë mbetur të dëmtuara ura në fshatin Bardhaj të bashkisë Shkodër, ura e Gjinajve në njësinë administrative Vig-Mnelë të bashkisë Vau-Dejës, ura që lidh fshatin Kolsh dhe lagjen Malësia në bashkinë Lezhë dhe ura në vendin e quajtur Kodër Mulliri po në këtë bashki.

Ministria ka angazhuar deri më tani në nivel qendror 50 forca ushtarake me 7 mjete të kalueshmërisë së lartë dhe mjete të tjera.

Këta të fundit kanë bërë shpërndarjen e 700 pakove ushqimore, 900 batanijeve dhe 10 çadrave për të gjitha bashkitë e qarkut Dibër.

“Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë monitorimin, koordinimin dhe angazhimin për të siguruar reagimin në kohë dhe mbështetjen e nevojshme për pushtetin vendor”, garantoi ministria.

Autoritetet bënë thirrje gjithashtu që të shmangen udhëtimet me qëllime turistike në zonat ku ka prezencë dëbore, të shmangen kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektohen rregullat e qarkullimit rrugor, të lëvizet me goma dimërore dhe zinxhirë sipas rekomandimeve të strukturave të qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore dhe operacionale në çdo rast nevoje.

Ditën e sotme dhe të nesërme do të vijojnë me reshje shiu në të gjithë vendin.

Në qarqet Kukës, Shkodër, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër do të ketë reshje bore me intesitet të ulët dhe mesatar.

Temperaturat minimale do te shkojne ne -3 gradë Celsius. Pas datës 24 janar moti parashikohet me kthjellime dhe alternime vranesirash.

Nivelet e lumenjve edhe sot janë nën nivelin kritik, duke mos paraqitur rrezikshmëri për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore