Ministria e Mbrojtjes: Ushqimi i ushtarëve është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar të mensës dhe burgjeve

Sipas MM-së, kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.
SHFLETO
Valon Rashiti
01.10.2024 13:38
Loading Icons...

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se të gjitha kuzhinat në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër dhe se pjesëtarët e FSK-së janë shërbyer me shujta ditore.

“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës”, ka njoftuar ministria.

Sipas njoftimit, kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional, teksa thuhet se synimi i ministrisë është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla.

“Nacionale” ka raportuar se ka skaduar kontrata me kompaninë që përgatit ushqimin për pjesëtarët e FSK-së, derisa kompania “Beni Dona” e cila ka pasur kontratë deri të hënën për përgatitjen e ushqimit për ka njoftuar se i kanë dërguar të hënën FSK-së letër zotimin përmes së cilës kanë shprehur gatishmërinë për mbështetje të stafit për përgatitjen e ushqimit sipas kërkesë së tyre edhe pas skadimit të kontratës.

“Sot kemi pranuar disa informacione se në disa kuzhina është lejuar hyrja e punëtorëve tanë, ndërsa në disa të tjera nuk është lejuar hyrja për arsyet të cilat ne nuk i dimë. Për fund ju njoftomë se ne sot më datë 01.10.2024 kemi bërë mbështetjen e të gjitha kuzhinave të FSK në tërë territorin e Kosovës me stafin tonë siç kemi bërë edhe herëve tjera kur ka qenë e nevojshme apo na është kërkuar një gjë e tillë, dhe atë e kemi bërë pa kurrfarë kompensimi material”, thuhet në reagim.

E gjithë kjo situatë ka nisur me një vendim të zëvendësministrit Shemsi Syla dhe sekretarit të Ministrisë që tenderi për ushqimin e pjesëtarëve të FSK-së, të bëhet konfidencial.

Vendimi i marrë për klasifikimin e tenderit si konfidencial ishte nënshkruar me datë 10 maj 2024. Megjithatë, i njëjti ishte shfuqizuar nga ministri Ejup Maqedonci.

Problemi me ushqimin e ushtarëve është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024