Shqipëria

Ministria e Bujqësisë përgënjeshtron lajmin se në Shqipëri ka ardhur gripi i shpendëve


Ministria e Bujqësisë në Shqipëri ka reaguar pas njoftimit se 500 mijë pula kishin ngordhur në dy pulari në Durrës.

Sipas saj nuk ka ende asnjë rast të pranisë së influencës aviare (gripi i shpendëve) në Shqipëri.

Në deklaratën për mediat, ministria thekson se pas analizave të kryera në tri data të ndryshme dhe me mbi 60 kampione, rezultatet e marra nga mostrat e dërguara nga Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve drejt laboratorit të certifikuar në Institutin për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë përjashtojnë kategorikisht sëmundjen virusale të gripit të shpendëve.

Ajo shton se rezultatet e analizimit në laboratorin e referencës konfirmojnë se nuk ka sëmundje që rrezikojnë konsumatorin apo produktet ushqimore me origjinë nga shpendët.

“Ju bëjmë me dije se rastet e dyshuara janë të lokalizuara në vetëm 2-3 stabilmente në një zonë të vetme”, shkruhet në njoftim.

Agjencia Kombëtare e Veterinarisë dhe Mbrojtjen e Bimëve dhe Instituti për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarinë janë në monitorim të vazhdueshëm dhe po bën kontrolle për të verifikuar arsyet e kësaj situatë epizootike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore