Shqipëria

Ministria e Bujqësisë: Gripi i shpendëve nuk transmetohet nga konsumi i nënprodukteve të tyre


Zëvendësministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ermira Gjeçi, gjatë një deklarate mbi situatën e gripit të shpendëve në Shqipëri, tha se nga studimet e bëra nuk është konstatuar që sëmundja të transmetohet te njeriu nga konsumi i nënprodukteve të shpendëve.

“Dua të sigurojmë konsumatorët se nuk ka asnjë rast nga studimet e bëra që sëmundja mund të transmetohet nga konsumimi i nënprodukteve të shpendëve. AKU është në terren, në secilin subjekt tregtues mishi, dhe po kontrollon çdo produkt për të garantuar sigurinë ushqimore”.

Në fjalën e saj, zëvendësministrja tha se sëmundja e gripit të shpendëve është konfirmuar në shumë vende të BE-së dhe se Shqipëria po ndjek rregullat që përkojnë me ato evropiane.

“Në shumë vende të BE-së, si Franca, Gjermania, Polonia, Hungaria, Zvicra, Spanja, Italia dhe Greqia janë konfirmuar raste të pranisë së Influencës aviare në shpendë të egër dhe në stabilimente të rritjes së shpendëve”.

Sipas saj, “kjo është një sëmundje, e cila sot ka prekur të gjithë kontinentin evropian dhe rregullat, të cilat po ndiqen në Shqipëri, janë konform procedurave të Bashkimit Europian”.

Në bazë të rregullave evropiane, ravijëzon Gjeçi, në Shqipëri janë karantinuar disa zona, ku sëmundja ka rrezik të përhapet.

Në Durrës, shton ajo, është karantinuar “perimetri me rreze 10 km me qendër në fshatin Rrashbull, në Dibër, perimetri me rreze 10 km me qendër në fshatin Rrethkal (rasti pozitiv në shpend oborri) dhe në Korçë, perimetri me rreze 10 km me qendër në fshatin Prespë të vogël (rasti pozitiv i pelikanit kaçurrel)”.

Situata e deritanishme

Deri tani janë raportuar të ngordhura 358 mijë e 520 shpendë, nga të cilat vetëm ditën e djeshme janë groposur pothuajse 39 mijë.

“Është e rëndësishme të kuptojmë që proceset janë dinamike dhe këto shifra ndryshojnë me orë”, ravijëzon Gjeçi.

Ditën e mërkurë, Ministria e Bujqësisë do të marrë vendim për shtimin apo jo të masave të mbrojtjes.

Deri tani, siguron zëvendësministrja, “është aktivizuar shërbimi veterinar, i cili në bashkëpunim me pushtetin vendor, kanë marrë masat për ndalim të tregtimit në kushte të pamiratuara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore