Shqipëria

Ministria e Brendshme: Kushtet për t’u pajisur me leje qëndrimi në Shqipëri


Ministria e Brendshme në Shqipëri, pasditen e 7 shkurtit ka publikuar kushtet dhe dokumentacionin që duhet të plotësojnë shtetasit e huaj për të aplikuar për leje qëndrimi në Shqipëri – Leje Qëndrimi Biometrike.

Sipas njoftimit të Ministrisë këta shtetas duhet të bëjnë një kërkesë në e-Albania që më pas të paraqiten pranë autoriteteve rajonale përgjegjëse për kufirin dhe migracionin në territorin ku ka vendbanimin.

“Për të aplikuar për lejen e parë të qëndrimit, forma e duhur e aplikimit varet nga motivi për të qëndruar në Shqipëri: për të punuar, për t’u bashkuar me familjen, për të studiuar, për motive të tjera të justifikuara me dokumentet, për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhej në njoftimin në median sociale Facebook.

Ndër të tjera theksohet se kërkesa për leje qëndrimi pranë autoriteteve rajonale përgjegjëse për kufirin dhe migracionin, bëhet brenda 30 ditëve pas hyrjes së fundit në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo e fundit me kushtin që të sigurohet që janë plotësuar kërkesat ligjore për lejen e qëndrimit për të cilën aplikohet dhe se ata kanë të gjitha dokumentet e nevojshme, dokumentet nga vendi i origjinës, të përkthyera e legalizuara.

Në përfundim ata kanë publikuar dhe një video për mënyrën se si duhet aplikuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore