Kosova

Ministri Sveçla në ShBA “për të forcuar bashkëpunimin”


Drejtori i Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP në kuadër të Departamentit të Drejtësisë, Gregory Ducot dhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla

Për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkuar atje për një vizitë zyrtare.

Njoftimin për këto takime, Ministri e bëri pas mesnate të hënën, në llogarinë e tij në Facebook duke treguar se ka nisur vizitën zyrtare dhe njëkohësisht takimet.

“Sot kam filluar takimet në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të realizoj takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së si partneri ynë strategjik”, ka shkruar Sveçla.

Ndër të parët persona që takoi Sveçla, ishte Drejtorin e Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP në kuadër të Departamentit të Drejtësisë, Gregory Ducot, dhe Ndihmës Drejtorin Mark Mogle, Programi i Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP për forenzikë.

“Shfrytëzova rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme nga shteti Amerikan përmes programit ICITAP në Kosovë, i cili ka ofruar mbështetje në kapacitete njerëzore, teknike dhe teknologjike për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saja”, ka shkruar ministri Sveçla.

Ndër të tjera Ministri ka theksuar se dy zyrtarët amerikan me të cilët u takua, Ducot dhe Mogle, “kanë theksuar që Kosova tashmë është një shembull referimi për suksesin e arritur në fushën e policisë dhe forenzikës, të cilat janë model për vendet e rajonit dhe më gjerë”.

Ai thotë se ka kërkuar mbështetje të mëtejme për Agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Pavarësisht të arriturave të deritanishme, kam potencuar nevojën që agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sikurse Policia, Inspektorati Policor i Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencia e Forenzikës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike të mbështeten edhe më tutje për të arritur standardet specifike në fushën e parandalimit të krimit, menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët e vendit”.

Sveçla thotë se morri premtime nga ICITAP-i pwr vazhdim të bashkëpunimit profesional duke mbështetur institucionet e Republikës së Kosovës në nevojat që ka në fushën e sigurisë, luftës së krimit dhe korrupsionit si dhe sundimit të ligjit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore