Lajme

Ministri serb flet prap për “dronët armiq”, pretendon se po provojnë ta kalojnë kufirin


Ilustrim

Ministri i Mbrojtjes në Serbi, Millosh Vuçeviç, ka thënë se edhe gjatë së mërkurës, disa dronë kanë fluturuar përgjatë kufirit me Kosovën dhe siç pretendoi ai, në vazhdimësi po provojnë ta kalojnë vijën administrative.

Vuçeviç nuk ka dhënë detaje se nga kush kanë ardhur dronët, përveçse, pohoi se ka pasur edhe dronë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR).

“Vazhdimisht ka aktivitete të përdorimit të dronëve në drejtimet ku ndodhet infrastruktura dhe njësitë e Ushtrisë Serbe”, tregoi ai duke shtuar se “disa kalojnë vijën administrative dhe tentojnë të hyjnë në territorin e Serbisë qendrore”.

Millosh Vuçeviç

“Disa janë dronë të vërtetë ushtarakë dhe disa janë gjysmë komercialë që mund të mbajnë kamera që bëjnë fotografi serioze, por edhe diçka tjetër”, shpjegoi Vuçeviç për ‘Radio Televizionin e Vojvodinës’.

Gjithashtu, ai ka konfirmuar se propozimi franko-gjerman që u publikua ekskluzivisht nga Albanian Post, u refuzua njëzëri nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për arsye se “Kosova në fund të procesit do të bëhet anëtare  e Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

Ndryshe, me 2 nëntor, Forcat e Armatosura të Serbisë rrëzuan një dron komercial mbi kazermën ushtarake në Rashkë, mbi dyshimet se ‘droni i panjohur’ vëzhgoi kazermat dhe pozicionet e forcave serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, paraprakisht kishte dhënë urdhër që të eleminohet çdo dron armiqësor që shihet në territorin serb dhe për të filluar përgatitjet për të mbrojtur Serbinë nga “pushtues” të tjerë.

Arsyeja e këtij vendimi të presidentit serb, erdhi pas supozimi se disa dronë të panjohur vëzhguan pozicionet e ushtrisë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore