Lajme

Ministri rus: Çdo gjë po shkon sipas planit


Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë se operacioni i tyre në Ukrainë po kryhet me sukses, pavarësisht pretendimeve të liderëve perëndimorë se ushtria ruse ka hasur në pengesa dhe rezistencë të paplanifikuar.

“Gjithçka po shkon sipas planit, ne ju raportojmë këtu çdo ditë këtë javë”, i tha Shoigu presidentit rus Vladimir Putin në një takim të Këshillit të Sigurimit të transmetuar në televizion të premten.

Shoigu pohoi gjithashtu se ushtria ruse ka marrë mbi 16 mijë aplikime nga vullnetarë në Lindjen e Mesme që duan t’i bashkohen luftës në Ukrainë.

“Ne marrim një numër të madh aplikimesh nga të gjitha llojet e vullnetarëve nga vende të ndryshme, të cilët dëshirojnë të vijnë në Republikat Popullore të Luhansk-ut dhe Donetsk-ut për të marrë pjesë në atë që ata e konsiderojnë si lëvizje çlirimtare”, tha ndër të tjera ai.

Gjithashtu ai i kërkoi Putin-it më shumë armë për të armatosur rajonet separatiste të Donbas-it – në veçanti, sistemet e mbrojtjes ajrore, duke përfshirë MANPADS, së bashku me lëshuesit e lehtë të raketave antitank.

Shoigu shtoi se, “ne kemi grumbulluar një numër të madh armësh ukrainase: tanke, automjete të blinduara dhe të gjitha llojet e armëve të vogla, mjaft artileri. Përveç kësaj, ka shumë komplekse Javelin dhe Stinger. Propozohet gjithashtu që kjo të transferohet në republikat e Luhansk-ut dhe Donetsk-ut, te milicia, në mënyrë që ata të mund të kryejnë në mënyrë më efektive mbrojtjen e republikave të tyre”.

Putin-i mbështeti të dy sugjerimet duke thënë se Rusia duhet të ndihmojë vullnetarët që dëshirojnë të luftojnë në Donbas që të transferohen në vijat e frontit.

“Nëse shihni se ka njerëz që duan në baza vullnetare, veçanërisht jo për para, të vijnë dhe të ndihmojnë njerëzit që jetojnë në Donbas, mirë, ne duhet t’i mirëpresim dhe t’i ndihmojmë të lëvizin në zonën e luftës”, i tha Putin Ministrit.

Kjo është dita e 16-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.

Sipas OKB-së mbi 2.3 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina dhe numri i ushtarëve rusë të vrarë nuk dihet ende – mendohet mbi 11 mijë.

Ndërsa rreth 1 mijë e 300 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.

Për të ndjekur zhvillimet e fundit të luftimeve Ukrainë-Rusi kliko KËTU

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore