Kosova

Ministri këshillon mjekët: Duajeni më shumë Kosovën, mos shikoni vetëm pagën


Largimi i qindra mantelbardhëve nga Kosova drejt Gjermanisë, për ministrin e Shëndetësisë, Rifat Lafitin, është fakt shqetësues, por ky i fundit i ka këshilluar mjekët që ta duan më shumë Kosovën, pasi ka theksuar se “s’është vetëm paga që do t’i mbajë mjekët e nxënësit tanë këtu“.

“Duhet ta duam pak më shumë veten. Unë s’po them që s’ka patriotizëm tek mjekët, por duhet ta duam pak më shumë Kosovën“, tha Latifi në Klan Kosova.

Sipas tij, mjekët nuk po largohen vetëm nga Kosova, një gjë e tillë po ndodh edhe në Austri.

“Austria po i humbë mjekët. 30 për qind e mjekëve që diplomojnë në Austri nuk merren me të sëmurët e Austrisë. Gjermania gjithashtu, prandaj po ka hapësirë për të gjithë ne. Çdo shtet ka një fluks të madh të largimit të personelit shëndetësor”, shtoi ai.

“Nëse unë s’e mbajë anën e mantelbardhëve, atëherë unë jap dorëheqje nga ministri i Shëndetësisë për shkak se s’ka asgjë më të rëndësishme për mua sesa mirëqenia e mjekëve”.

Lafiti, përkundër performancës së dobët si ministër, potencoi se e ka përkrahjen 100 për qind të kryeministrit Albin Kurti për punën që ai po e bën në këtë dikaster qeveritar.

“Jam shumë i sigurt se qeveria e sidomos kryeministri Kurti që shëndetësinë e ka top prioritet. Nuk mund të kemi siguri kombëtare nëse nuk kemi shëndetësi të avancuar”.

Gjatë muajit prill të këtij viti, zëvendëskryeministri i parë të Kosovës, Besnik Bislimi, pati thënë se “mjekët kosovarë shkojnë për të punuar në Gjermani, pasi mjekët gjermanë ikin nga aty”.

“Kanë ikur mjekët gjithmonë në Kosovë dhe do të ikin gjithmonë. Por, a e dini pse shkojnë mjekët në Gjermani? Jo, pse është rritur popullsia e Gjermanisë, por se mjekët gjermanë ikin prej Gjermanisë”, ishte arsyetimi i Bislimit kur u përmend largimi i mantelbardhëve kosovarë nga vendi, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane.

Oda e Mjekëve të Kosovës, deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi se “mjekët kosovarë shkojnë për të punuar në Gjermani, pasi mjekët gjermanë ikin nga aty”, e ka cilësuar si mohim të gjendjes faktike të socio-ekonomisë në Kosovë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të parë të 2022-ës nga Kosova janë larguar 41 mjekë: një specialist, 19 specializantë dhe 21 mjekë të përgjithshëm.

“Vitin e kaluar kanë qenë rreth 210 mjekë që kanë ikur nga Kosova”, nënvizoi Sejdiu, pa e përkthyer në një shifër tjetër shqetësuese: 4% e mjekëve e kanë lënë Kosovën brenda vetëm një viti. Por, paralajmërimi i tij ishte akoma më alarmues. “Nëse nuk merren masa do të rritet ikja dhe këtë vit 300 mjekë do të largohen”. Pra, edhe mbi 5% e mjekëve do të largohen sivjet, sipas doktor Sejdiut, i cili thekson se 108 mjekë veçse janë larguar në gjashtë muajt e parë të 2022-ës.

Nuk po ikin vetëm mjekët. Edhe infermierët po e lënë Kosovën.

Sipas Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, 400 infermierë janë larguar gjatë vitit 2021 dhe 900 të tjerë pritet të largohen sivjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore