Lajme

Ministri iranian i Naftës vizitë në Venezuelë, në fokus energjia


Javad Owji

Ministri iranian i naftës, Javad Owji, po bën një udhëtim të rrallë në Venezuelë, i cili përfshin vizitën e objekteve të naftës dhe nënshkrimin e marrëveshjeve energjetike midis dy vendeve të sanksionuara nga SHBA-të.

Këtë e kanë bërë të ditur për mediumin “Bloomberg” njerëz me njohuri për situatën, përcjell Albanian Post.

Owji dhe më shumë se një duzinë delegatë mbërritën në Caracas të shtunën, sipas njerëzve, të cilët kërkuan të mos identifikoheshin. Ai dhe delegacioni i tij vizituan kompleksin e rafinimit të Paraguana në Venezuelën Perëndimore me kreun e “Petroleos de Venezuela SA”, Asdrubal Chavez. Të dy pritet të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi energjetik gjatë kësaj dite.

Ministria e Naftës e Venezuelës dhe kompania shtetërore e naftës PDVSA nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Si Irani, edhe Venezuela janë goditur me sanksione nga SHBA-të, të cilat aktualisht nuk importojnë naftë nga asnjëri vend.

Një takim i rrallë midis presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe zyrtarëve të lartë amerikanë në Caracas në mars nxiti spekulime se lehtësimi i sanksioneve ishte në tryezë për të çliruar furnizimet me naftë pas pushtimit rus të Ukrainës.

Venezuela dhe Irani kanë rritur bashkëpunimin në dritën e sanksioneve të SHBA-ve. Venezuela importon kondensatë nga Irani, çelësi për të holluar naftën e saj të papërpunuar tepër të trashë.

Irani gjithashtu ka ndërhyrë për të ndihmuar aleatin e tij të Amerikës së Jugut me inxhinierë, produkte të rafinuara dhe pjesë këmbimi për industrinë e tij të naftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore