Lajme

Ministri i Punëve të Jashtme të Maltës kërkon progres në dialogun Kosovë-Serbi


Ian Borg

Ministri i Punëve të Jashtme, Çështjeve Evropiane dhe Tregtisë së Maltës, Ian Borg, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkoi nga Kosova dhe Serbia progres në procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), ndërsa shprehu gatishmëri për t’i ndihmuar palët.

Ai theksoi se përveç procesit të demokratizimit, sundimit të ligjit e respektimit të të drejtave të komuniteteve joshumicë, shumë e nevojshme është që të zbatohen marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që janë arritur vitin e kaluar, posaçërisht përmbushjen e të gjitha obligimeve që burojnë nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.

Borg shtoi se progresi në dialogun Prishtinë-Beograd është i nevojshëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kryediplomati maltez u pyet nëse medon se Serbia e shkeli marrëveshjet e arritur një vit më parë kur votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), por refuzoi të komentojë duke thënë se “nuk mund të gjykojë”.

Kosova dhe Serbia e pranuan një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve më 27 shkurt 2023 në Bruksel të Belgjikës. Pastaj u arrit edhe një dakordim që do ta përcaktonte trajektoren e procesit të normalizimit në qytetin piktoresk të Ohrit në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, një vit pas, tensionet politike dhe pengesat praktike ende mbeten pjesë e problemit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore