Lajme

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë: “Kurti do të hyjë në konflikt me shumicën serbe në veri të Kosovës”


28 maji është afati i fundit kur katër kryetarët e rinj të katër komunave veriore të Kosovës duhet të kenë dhënë betimin dhe të nisin punën zyrtarisht si udhëheqës legjitim, pas certifikimit të zgjedhjeve nga KQZ për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç ka deklaruar këtë të hënë se situata në veri të Kosovës është “tmerrësisht e tensionuar”, pasi që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po planifikon të marrë fizikisht katër komunat të banuara me shumicë serbe.

“E dini se çfarë do të thotë, ai i merr komunat me dy për qind të mbështetjes së votuesve, do të thotë se do t’i rrëzojë të gjitha tiparet serbe, se do të hyjë në një konfrontim të plotë me shumicën e madhe, absolute të popullsisë që jeton në ato komunat”, ka deklaruar Vuçeviç për TV Pink.

Vuçeviç vlerëson se situata në Kosovë është “tmerrësisht e tensionuar”, dhe se pala kosovare “po i përdorin dy tragjeditë që ndodhën në Beograd dhe Mlladenoc për të rritur presionin ndaj Serbisë” dhe për të arritur qëllimet e tyre.

“Kurti, derisa jemi duke ndjekur njëri-tjetrin këtu se kush e ka fajin dhe për çfarë, po përgatit aksione për t’i marrë fizikisht këto katër komuna në veri të Kosovës dhe nuk tronditet shumë nga ngjarjet tona tragjike, por e sheh si një vrull që i jep atij një avantazh, sepse këtu ne përsëri po shpërbëhemi, po shpërbëhemi, dikush duhet të fusë sërish destabilitet”, tha Vuçeviç.

Të kontaktuar nga Albanian Post, katër kryetarët e rinj të katër komunave veriore, nuk e dinë akoma saktë datën se kur do të japin betimin për kryetarë në komunat përkatëse, ku dolën fitues në zgjedhje. Kjo pasi që janë në koordinim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me të cilët po mundohen të koordinohen për të kryer procedurat.

Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, fituan garën në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, të organizuara Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, pasi që të gjithë përfaqësuesit politikë të serbëve i bojkotuan ato me direktiva të Serbisë.

Ndërsa, zgjedhjet u organizuan pasi serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe refuzuan të kthehen në to derisa të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore