Kosova

Ministri i Mbrojtjes – ushtarëve polakë në KFOR: Kur të jetë e nevojshme, ne do të zbatojmë nenin 5


Władysław Kosiniak-Kamysz

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes së Polonisë, Władysław Kosiniak-Kamysz, në një takim me ushtarët e kontigjentit polak të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), deklaroi se kudo që nevojitet prania e ushtarëve dhe oficerëve polakë, ata do të jenë atje për të ruajtur paqen dhe sigurinë, duke përmbushur kështu detyrat që burojnë nga dispozitat e aleancës.

“Ju keni dhënë shembull përkushtimi ndaj shoqërisë, ndaj misionit paqeruajtës, ndaj gjithë kësaj për të cilën jeni thirrur. Ju jeni krenaria e Polonisë”, u tha ministri Kosiniak-Kamysz ushtarëve polakë, derisa garantoi se janë të gatshëm për nenin 5, ku është i mishëruar parimi i mbrojtjes së përbashkët – një sulm ndaj njërit cilësohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve.

“Ne do t’i përmbushim të gjitha detyrimet që dalin nga nenet dhe dispozitat e NATO-s; ky është angazhimi ynë ndaj aleancës dhe misionit në Kosovë. Kur të jetë e nevojshme, ne do të zbatojmë çdo dispozitë të aleancës, përfshirë nenin 5. Kur të vijë thirrja për ne, ne besojmë dhe presim një konfirmim të tillë gjithmonë nga aleatët tanë”, shtoi mes tjerash ministri polak.

Pjesëmarrja në misionin paqeruajtës të KFOR-it shënon një nga misionet e para të ushtrisë polake brenda NATO-s. Në Kosovë ndodhet kontingjenti më i madh polak në krahasim me prezencën në vendet tjera – Rumani, Letoni dhe Turqi – me rreth 250 ushtarë, ndërsa përveç kontingjentit ushtarak, në Kosovë është i pranishëm edhe një kontingjent policor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore