Financa

Ministri i Financave i Iranit thekson rritjen e investimeve nga Rusia


Rusia është bërë vendi investitor më i madh i huaj në Iran gjatë vitit të kaluar, pasi dy vendet e sanksionuara rëndë kanë rritur bashkëpunimin që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën

Kështu rezulton sipas zyrtarëve iranianë.

Ehsan Khandouzi, ministri i Financave i Iranit, ka thënë se Rusia kishte investuar 2.76 miliardë dollarë në vend gjatë vitit aktual financiar që përfundoi këtë javë, duke përmendur projekte në sektorët industrialë, minierat dhe transportin.

“Ne i përcaktojmë marrëdhëniet tona me Rusinë si strategjike dhe po punojmë së bashku në shumë aspekte, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike”, ka thënë Khandouzi për Financial Times.

“Kina dhe Rusia janë dy partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe Irani do të zgjerojë marrëdhëniet e tij me ta përmes zbatimit të marrëveshjeve strategjike”, ka shtuar ai.

Komentet e tij nënvizojnë se si Teherani dhe Moska i kanë rritur lidhjet e tyre që kur Perëndimi vendosi valë sanksionesh ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin një vit më parë.

Delegacionet ruse të biznesit kanë vizituar Republikën Islamike duke kërkuar marrëveshje dhe këshilla se si të shmangen sanksionet, ndërsa Irani ka qenë i prirur të zhvillojë marrëdhënie të reja tregtare për të forcuar ekonominë e tij të sanksionuar.

SHBA-të dhe Evropa kanë akuzuar Teheranin se i ka shitur Moskës dronë të armatosur që janë vendosur kundër objektivave ukrainas.

Irani mohon që dronët e tij janë përdorur në luftë. Khandouzi ka thënë se konflikti në Ukrainë ishte “fatkeqësi” për Iranin, por nuk u përgjigj kur u pyet nëse Teherani merrte të ardhura nga shitja e armëve në Rusi.

Bankat qendrore iraniane dhe ruse nënshkruan një marrëveshje në janar për të lidhur sistemet e tyre të komunikimit ndërbankar në një përpjekje për të nxitur tregtinë dypalëshe.

“Rusia dhe disa vende të tjera janë të prirura të përdorin mekanizma të tillë si marrëveshjet monetare të ndërsjella ose shkëmbimet e bazuara në tregti. Ne kemi negociuar jo vetëm me Rusinë, por edhe me Kinën dhe partnerë të tjerë, përfshirë Turqinë, në këtë drejtim”, ka thënë Khandouzi.

Dhe se teknikisht, ky rrjet financiar është në një situatë më të mirë midis Iranit dhe Rusisë se të tjerët.

Analistët janë skeptikë rreth asaj se sa larg të dy mund të zhvillojnë tregtinë pasi të dy kanë ekonomi të bazuara në mallra që prodhojnë produkte të ngjashme.

Por një diplomat perëndimor ka thënë se frika ishte se është “një dinamikë që mund të bëhet e vetë-qëndrueshme”.

Irani ka duruar dekada sanksionesh dhe është shkëputur nga sistemi financiar global që kur ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe nisi kufizime të reja kundër republikës.

Kjo ka penguar më tej aftësinë e Teheranit për të tërhequr investime të huaja.

Rusia përbënte dy të tretat e totalit të investimeve të huaja direkte prej rreth 4.2 miliardë dollarësh në Iran këtë vit financiar, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Qeveria e vijës së ashpër të Presidentit Ebrahim Raisi i ka dhënë përparësi zhvillimit të marrëdhënieve tregtare rajonale dhe aziatike që nga marrja e detyrës në vitin 2021, në një përpjekje për të kundërshtuar ndikimin e sanksioneve.

Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kina e nënshkruar këtë muaj do të rivendosë lidhjet diplomatike midis Iranit dhe Arabisë Saudite rivale, shtatë vjet pasi ata ndërprenë marrëdhëniet.

Khandouzi ka thënë se Irani muajin e kaluar kishte arritur nivelin e tij më të lartë të eksporteve të naftës për të paktën dy vjet, duke tejkaluar nivelin e mëparshëm prej 1.3 milionë fuçi në ditë, pavarësisht sanksioneve amerikane.

Sipas tij, eksportet jo-naftë prej 53 miliardë dollarësh ishin gjithashtu 12 për qind më të larta në 11 muajt e parë të këtij viti se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Importet gjatë të njëjtës periudhë ishin 60 miliardë dollarë, të cilat kombinuar me të dhënat e eksportit treguan se “ekonomia e Iranit nuk mund të izolohet”.

Megjithatë, qeveria ka luftuar të frenojë gjendjen e keqe ekonomike që ka kapluar republikën, me inflacionin që u rrit më shumë se 47 për qind. Ekonomistët iranianë fajësojnë autoritetet për nxitjen e inflacionit duke shtypur në mënyrë të tepruar para.

Sfida më e madhe e qeverisë është lehtësimi i presionit ekonomik mbi iranianët e zakonshëm, me analistët që paralajmërojnë se ankesat ekonomike janë një bombë në mes të zemërimit të gjerë publik me regjimin.

“Kur vendi po lufton me probleme ekonomike, zyrtarët padyshim bëjnë më shumë përpjekje se më parë dhe shpenzojnë më shumë kohë duke u shërbyer njerëzve”, ka thënë Khandouzi.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore