Lajme

Ministrat mund të përballen me veprime ligjore mbi pasurinë e fshehur të Mbretëreshës


Nëse ministrat nuk i përgjigjen kërkesës për dokumente që mund të zbulojnë se si mbretëresha e ndjerë fshehu një pjesë të pasurisë private, mund të përballen me procedura gjyqësore.

Mbikëqyrësi britanik i transparencës ka kërcënuar me veprime ligjore kundër Departamentit të Biznesit, Energjisë dhe Strategjisë Industriale (BEIS), i cili e ka penguar kërkesën për dy vjet.

Për t’iu përgjigjur kërkesës ka afat deri në fund të tetori. Në të kundërt mund të përballet me veprime gjyqësore.

Dokumentet mund të detajojnë se si monarkja e ndjerë përdori një lehtësi financiare të fshehtë për të fshehur nga publiku aksionet në kompanitë tregtare që zotëronte.

Bashkë me to ka fshehur edhe vlerën e atyre aksioneve.

Për publikun, madhësia e pasurisë së saj duke përfshirë edhe investimet nuk është bërë kurrë e ditur. Vlerësimet spekulonin se mund të arrinte në qindra miliona paund.

“The Guardian” vitin e kaluar ka zbuluar se si ajo loboi te qeveria për të ndryshuar legjislacionin e propozuar për të parandaluar që aksionet e saj të zbuloheshin në publik.

Si rezultat, në vitet 1970, qeveria krijoi një kompani guackë të mbështetur nga shteti, e cila ka mbajtur sekret aksionet dhe investimet private të saj për më shumë se tre dekada.

Referuar dokumenteve, anëtarë të tjerë të familjes mbretërore kanë qenë në gjendje të përdornin të njëjtën kompani për të fshehur investimet e tyre.

Në vitin 1973, Mbretëresha Elizabeth II dërgoi avokatin e saj privat për të lobuar në qeveri për të ndryshuar një ligj të propozuar që do të lejonte publikun të përcaktonte se kush zotëronte aksione në kompani të veçanta.

Dhe avokati argumentoi se zbulimi i aksioneve të saj do të ishte “i turpshëm”.

Një përjashtim i veçantë u fut në ligjin e propozuar “për të shmangur një situatë ku pronësia e aksioneve specifike nga anëtarët e familjes mbretërore mund të bëhej gjerësisht e njohur”.

Sipas dokumentit, kompania guaskë, e operuar nga individë të lartë në Bankën e Anglisë, u krijua në vitin 1977 “për të mbajtur investime mbretërore”.

Dhe se administratorëve përkatës, menaxherëve të investimeve dhe anëtarëve të caktuar të familjes mbretërore iu dha “një përjashtim nga kërkesa për të zbuluar një interes në aksionet e një kompanie”.

Sakaq, drejtuesve të saj iu kërkua t’i dërgonin qeverisë raporte vjetore.

Tani, mbikëqyrësi ka vendosur që departamenti ka thyer rregullat e Ligjit për Lirinë e Informacionit.

Ai ka urdhëruar departamentin të merrej me kërkesën, duke paralajmëruar se ajo mund të dërgohej në gjykatë nëse nuk vepronte përpara 31 tetorit.

Ndërkohë, gjykata ka kompetencën të vendosë se departamenti kishte kryer një shpërfillje të gjykatës.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore