Minatorët: I duam pagat – shtëpitë na kanë mbetur pa bukë

Valon Rashiti
31.07.2024 10:22
Loading Icons...

Në takimin mes minatorëve të “Trepçës” dhe për përfaqësueseve të Sindikatës e Pavarur të Minatorëve, pas situatës së krijuar për mosekzekutim të pagave, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka thënë se po i kërkojnë pagat pasi kanë mbetur pa ushqim.

“Po e kërkojmë pagën, s’po bëjmë politikë, por po e duam pagën. Pagën sepse na kanë mbetur shtëpitë pa bukë e pa ushqim. Kemi ankesa të vazhdueshme nga kolegët tanë”, tha Januzi.

Janë bërë 21 ditë që kur minatorët janë në grevë, kjo për shkak të mosekzekutimit të pagave nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Albanian Post ka dërguar pyetje që nga 15 korriku në Ministrinë e Ekonomisë – për t’u informuar se kur do të ekzekutohen pagat e minatorëve dhe përse çdo muaj po ka problem në këtë drejtim.

Por, që akoma s’ka pranuar përgjigje. Edhe në muajin qershor, minatorët kishin hyrë në grevë për shkak të mosekzekutimit të pagave për muajin maj.

Marrëveshje e arritur mes Trepçës dhe Qeverisë në muajin nëntor të 2023-së, përmes së cilës synohej që pagat e minatorëve të dilnin në kohë, deri më tani s’është zbatuar pothuajse asnjëherë.

Nga Sindikata e Trepçës, të hënën përmes një komunikate për media kanë deklaruar se Qeveria as s’ka interesim të informohet për problemet që ka aktualisht në këtë ndërmarrje.

Edhe pse Kurti e kishte vlerësuar si “krim të madh” mosinvestimin në Trepçë, aktualisht qeverisja e udhëhequr nga ai lërë që s’ka krijuar kushte dhe s’ka investuar në të, por minatorëve pothuajse në secilin muaj të 2024-së s’ia ekzekuton pagat me kohë.

Mos përmirësimi i kushteve të punëtorëve të Trepçës, ka dërguar në greva të njëpasnjëshme.

Kompleksi metalurgjik Trepça, deri në vitet 90 atëherë kur ishte përkeqësuar situata politike, ishte llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme.

Rënia e prodhimit ka nisur në vitet 90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, kështu duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend.

Ndërmarrja nuk ka arritur asnjëherë të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës, por pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës.

Fond ky i cili do t’i marrë nën pronësi të gjitha asetet strategjike të Kosovës, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre, ndërsa miratimi i tij është paraparë që të bëhet brenda vitit 2023.

Të fundit

Aktuale