Lajme

Miliona njerëz në rrezik pas reduktimit të ndihmave ushqimore në Sudanin e Jugut


Programi Botëror i Ushqimit po pezullon ndihmën ushqimore për 1.7 milionë njerëz në Sudanin e Jugut, pasi lufta në Ukrainë ka marrë fondet nga vendi i rrënuar prej krizës.

Po ashtu ka bërë që çmimi i produkteve kryesore të rritet.

Agjencia e ndihmës ushqimore e OKB-së kishte planifikuar t’u jepte ndihma më shumë se gjashtë milionë njerëzve me pasiguri akute ushqimore në Sudanin e Jugut këtë vit, siç bëri në vitin 2021.

Megjithëse me racione më të vogla.

Por, tanimë, ka njoftuar se do t’i duhet t’u japë përparësi 4.5 milionë njerëzve më të cenueshëm, në mënyrë që t’i ndalojë ata të vdesin nga uria gjatë sezonit të dobët, midis prillit dhe korrikut.

“Është një pezullim drastik, sepse është një e treta e totalit të njerëzve që ne e dimë se kërkojnë ndihmë ushqimore. Ne duhej të vendosnim se kë do të vazhdonim të ndihmonim dhe për kë mund ta pezullojmë ndihmën”, ka thënë zëdhënësja Marwa Awad.

Tani, ajo është e shqetësuar për 1.7 milionë njerëz të shkëputur nga mbështetja.

“Nëse nuk jepet ndihma për t’i mbështetur, ata do të rrëshqasin më poshtë në shkallën e pasigurisë ushqimore dhe do të arrijnë nivelin e urisë. Nëse njerëzit nuk ushqehen, ata do të bëhen gjithnjë e më keq”, ka vijuar ajo.

Të përfshira në pezullime janë ushqimet falas në shkollë për 178 mijë nga fëmijët më të varfër.

Awad ka dëgjuar përmes kolegëve se prindërit po planifikonin t’i hiqnin fëmijët e tyre nga shkolla dhe t’i dërgonin në punë si rezultat i pezullimit.

Një rast i martesës së fëmijëve ishte raportuar gjithashtu.

Sudani i Jugut, i cili fitoi pavarësinë në vitin 2011 vetëm për të hyrë në një luftë civile të zgjatur dhe të përgjakshme, vazhdon të shohë periudha të përsëritura konflikti.

Po ashtu, edhe goditje klimatike si përmbytjet dhe thatësira të lokalizuara.

Nga ana tjetër, pushtimi rus e ka rritur presionin në disa mënyra.

Kryesisht, financimi po pakësohet teksa vendet garojnë për të ndarë buxhete të mëdha për të përmbushur nevojat e mëdha humanitare të Ukrainës.

Përkeqësimi i mungesës së fondeve është nga kostot në rritje të produkteve kryesore si gruri dhe vaji i lulediellit, shumica e të cilave historikisht janë prodhuar nga Ukraina.

Një efekt negativ i çmimit të lartë të grurit është se ai ka fryrë koston e alternativave të tilla, si misri, të cilat janë rritur deri në 59 për qind në Sudanin e Jugut.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore