Lajme

Miliona investime në QKUK, por klinikat vërshohen sa herë ka reshje më të shpeshta


Foto nga Albanian Post

Jo rrallë herë pacientët kthehen nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) pa marrë shërbimet e nevojshme.

Ditët e fundit, vetëm pse pati reshje më të shumta, instituti më i madh shëndetësor në Kosovë u detyrua të anulojë operimet për një kohë.

Shiu kishte depërtuar brenda, për shkak të infrastrukturës së dobët brenda klinikave.

Rregullimi i klinikave bëhet çdo vit, prandaj edhe për njohësit e shëndetësisë është absurde që QKUK-ja vazhdon të përballet me problematika të tilla.

“QKUK shpenzon qindra mijëra euro çdo vit për renovime të klinikave. Vetëm në vitin 2020 është dhënë një tender në vlerë rreth 400 mijë euro për këto renovime. Prandaj, është e pakuptueshme se si mund të ndodhin këto vërshime të ujit që po shkaktojnë ndërprerje të shërbimeve dhe po e rrezikojnë shëndetin e pacientëve”, deklaron Bujar Vitija, gazetar që prej vitesh përcjell sektorin e shëndetësisë në Kosovë.

“Gjithashtu, po shkaktojnë edhe dëme të tjera në pajisje mjekësore. Përveç kësaj QKUK i ka edhe shërbimet e veta teknike që mund të intervenojnë për të evituar këto raste”, deklaron ai për AP.

Një pjesë e përgjegjësi i takon edhe anëtarëve të Komisionit të Shëndetësisë, të cilët supozohet se të duhej të angazhoheshin më shumë deri në realizimin e kërkesave për pacientët.

Bekim Haxhiu, anëtar i këtij komisioni, pohon se për investime kapitale nga buxheti shfrytëzohet një përqindje fare e ulët.

“Sa i përket investimeve kapitale nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, janë shpenzuar vetëm 5 për qind e buxhetit, do të thotë buxhet ka pasur por menaxhara nuk ka pasur”, thotë ai për AP.

Por, thotë se përveç problemeve infrastrukturore të klinikave, QKUK-ja, do të ballafaqohet edhe me një problem tjetër që mund të dërgojë në mbylljen e klinikave.

“Nevoja e parë është siguria që lista esenciale të plotësohet 100 për qind siç e parasheh ligji për Shëndetësinë, përveç rregullimit të klinikave që është e domosdoshme. Por, në rast se brenda këtyre klinikave nuk ka kush të kryej shërbime atëherë situata do të shkojë buzë kolapsit ku një pjesë e madhe e klinikave edhe mund të mbyllen”.

SHSKUK: Një pjesë e buxhetit të vitit 2023 do të investohet në klinika

Albanian Post ka kontaktuar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), nga ku thonë se një pjesë e buxhetit të vitit 2023 do të investohet në klinikat që konsiderohet se kanë nevojë urgjente.

“Në buxhetin e vitit 2023, parashihet që të bëhet zgjidhje në formë të spitalit ditor për trajtim të pacientëve për pulmologji, kirurgji- urologji dhe gjinekologji”.

“Po ashtu në kuadër të investimeve kapitale do të filloj ndërtimi i objektit të ri për Klinikën e Hematologjisë dhe Nefrologjisë, ankesi i Klinikës së Ortopedisë, investimet në nyjë sanitare dhe infrastrukturë në klinika dhe spitale dhe projekte të tjera me rëndësi. Vazhdimi i ndërtimit të Spitalit për Nëna dhe Fëmijë në Prizren”.

Në kuadër të kësaj përgjigje, SHSKUK-ja ka sqaruar se janë ndarë edhe rreth 6 milionë euro më shumë për barna.

MSH: Investimet në klinika duhet të mbulohen nga SHSKUK-ja

Qeveria e Kosovës ka ndarë për Shëndetësinë buxhetin më vlerë prej 296 milionë euro, buxhet ky i cili konsiderohet si më i madhi ndonjëherë për këtë sektor.

Pyetur nga Albanian Post, se, meqë supozohet se ka para, përse lihen në atë gjendje klinikat, nga ky dikaster thonë se një numër i madh i investimeve në QKUK duhet të mbulohet nga ShSKUK-ja.

“Sa i përket investimeve në QKUK, këto investime kryesisht mbulohen nga ShSKUK dhe për detaje të tjera, luteni që t’i drejtoheni ShSKUK-së si organizate buxhetore në vete”.

Klinikat gjithmonë “vërshohen” nga uji pas reshjeve të shumta

Hiç më larg se 21 nëntori i këtij viti, Klinika e Kirurgjisë dhe ajo Oftalmologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), u vërshuan nga uji, pas reshjeve të shumta nga shiu.

Pacientë, të cilët ishin duke u trajtuar në Klinikën Oftalmologjike, i patën thënë Albanian Post-it se nuk po iu ofrohen dot shërbimet.

Me probleme të ngjashme në të kaluarën ishte ballafaquar edhe Klinika Onkologjike, ajo e Pulmologjisë si dhe laboratori i pediatrisë.

Klinikat pas reshjeve të shiut.

Në bazë të Ligjit për shëndetësi, SHSKUK-ja ka për detyrë që të ofrojë shërbime cilësore të kujdesit shëndetësor duke synuar performancë, efiçiencë dhe efikasitet sa më të lartë të shërbimeve për pacientët në pajtim me Ligjin për shëndetësi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore