Lajme

Milatoviç takon Blinken-in: Pres që ShBA ta mbështesë Malin e Zi në përshpejtimin e rrugës evropiane


Jakov Milatoviç dhe Antony Blinken

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, gjatë qëndrimit të tij në New York, është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Siç njofton zyra e presidencës malazeze, Milatoviç ka pasur një bisedë “të përzemërt dhe kuptimplotë” me Blinken-in.

Ai e ka njoftuar Sekretarin amerikan për arritjet e Malit të Zi “në zhvillimin demokratik”.

“Temë e diskutimit ishin prioritetet e politikës së jashtme të Malit të Zi, duke përfshirë anëtarësimin e besueshëm në aleancën e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga presidenca malazeze.

Kreu malazez pohoi se pret që ShBA-ja të mbështesë edhe më tej Malin e Zi në përshpejtimin e rrugës evropiane.

“Bashkëbiseduesit u referuan edhe për ngjarjet dhe sfidat aktuale në nivel ndërkombëtar. Presidenti Milatoviç theksoi edhe një herë rëndësinë e partneritetit strategjik të Malit të Zi me SHBA-në”.

Ky takim i Milatoviç-it, është në kuadër të vizitës së tij në New York, ku është duke u mbajtur Sesioni i 78 i Asamblesë së Kombeve të Bashkuar.

Të hënën ai ka takuar edhe Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore