Lajme

Milatoviç jep dorëheqje nga të gjitha postet në parti: Mënyra e punës është në kundërshtim me premtimet


Jakov Milatoviç

Nënkryetari i Lëvizjes “Evropa Tani” (PES) – partia që udhëheqë me ekzekutivin malazez – njëherit President i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka pasur në parti.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Milatoviç, përmes një postimi në platformën X, ku ka shpjeguar edhe arsyet se pse ka bërë një veprim të tillë, duke thënë se mënyra se si është duke punuar PES-i, është në kundërshtim me ato se çka ka premtuar.

“Me rastin e themelimit të Lëvizjes Evropa Tani, ne u premtuam qytetarëve transparencë në punë, një dialog racional dhe të arsyetuar rreth politikave që janë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, ne premtuam se kompetenca dhe integriteti personal do të jenë faktorë vendimtarë në punësim dhe avancim”, shkroi ai.

“Gjithashtu, premtuam një kulturë tjetër politike të bazuar në respektimin e diversitetit dhe afirmimin e vlerave evropiane”, vazhdoi ai.

Siç ka shtuar Milatoviç, mënyra e deritanishme e punës është në kundërshtim me premtimet dhe vlerat që ai ka pasur parasysh në krijimin e Lëvizjes “Evropa Tani”.

“Për këtë arsye po jap dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizje. Lëvizja “Evropa Tani” ishte dhe do të mbetet një pjesë e rëndësishme e imja, sepse së bashku kemi shkruar historinë e ndryshimeve demokratike në vend”, theksoi.

“Si edhe më parë, i udhëhequr ekskluzivisht nga interesat e qytetarëve, si President i Malit të Zi, të gjitha kapacitetet e mia do t’i drejtoj drejt realizimit të prioriteteve kyçe shtetërore”, përfundoi presidenti malazez.

Lëvizja “Evropa Tani” aktualisht është partia më e madhe në Mal të Zi. Kjo parti në garën e parë zgjedhore, arriti që të fitoi, fillimisht zgjedhjet presidenciale, ku kishte si kandidat nënkryetarin e saj, Jakov Milatoviç – i cili mposhti Milo Gjukanoviç-in – dhe më pas ato parlamentare, që pati kandidat për kryeministër kryetrarin e partisë, Milojko Spajiç.

Lëvizja “Evropa Tani”, u krijua në vitin 2022. Spajiç dhe Milatoviç ishin iniciatorët dhe ata që themeluan këtë parti politike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore