Lajme

Milanoviç: SHBA dhe Rusia po luftojnë në Ukrainë, pa marrëveshjen e tyre lufta s’do të ndalet


Zoran Milanoviç

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, tha të enjten se Kroacia nuk është në luftë me Rusinë, por se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në luftë me Rusinë në Ukrainë dhe se pa një marrëveshje ndërmjet tyre, e cila nuk është në dukje, lufta nuk do të ndalet.

“Shpresoj se do të zhvillohet një lloj dialogu mes tyre, ose ngadalë do të shkojmë drejt luftës së tretë botërore, për të cilën disa mendojnë se tashmë ka filluar, por unë jam pak i rezervuar, dhe për sa i përket tankeve, rusët dhe amerikanët po bëjnë të njëjtën gjë”, tha Milanoviç, transmeton media kroate “Index”.

Milanoviç komentoi edhe deklaratën e kryediplomatës gjermane, Annalena Baerbock, e cila të martën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, tha se “ne po luftojmë kundër Rusisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”.

“Unë nuk e dija këtë. Ndoshta Gjermania është përsëri në luftë me Rusinë, por iu uroj fat, ndoshta ata do të kapërcejnë më mirë tani se shtatëdhjetë vjet më parë. Ne nuk jemi në luftë, Rusia dhe Amerika janë në luftë. As Gjermania nuk është në luftë dhe s’do të kërkojë asgjë, sepse e pamë se çfarë bënë me rezolutën për Bosnjë dhe Hercegovinën”, tha Milanoviç.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, konfirmoi të mërkurën se Gjermania do të dërgonte 14 tanke Leopard 2 A6 në Ukrainë dhe do të lejonte vendet partnere të rieksportonin tanke të tilla luftarake të rënda të prodhuara nga Gjermania.

Presidenti kroat shtoi se tanket që do të dërgohen në Ukrainë si pjesë e ndihmës gjermane për ukrainasit, mund të digjen dhe mund të arrijnë në Krime, por në asnjë rast Kroacia nuk do të jetë e përfshirë atje.

“Nëse jemi në luftë me Rusinë, atëherë të shohim se çfarë duhet të bëjmë dhe nuk do të kërkojmë mendim nga Gjermania. Scholz ishte disi më i butë se ministrja i tij, por le të bien dakord se kush është kancelar atje. Unë kam qenë në politikë për një kohë të gjatë dhe vendi ynë ka kaluar shumë, por kurrë nuk kam parë këtë lloj çmendurie”, përfundoi Milanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore