Sport

Milani dhe Monza përkujtojnë vdekjen e Berlusconi-t


Ish-presidenti legjendar i Milan-it, Silvio Berlusconi, ndërroi jetë të hënën e 12 qershorit në spitalin San Raffaele në Milano.

Vdekjen e tij e kanë përkujtuar ish-klubi i tij, Milan-i dhe klubi aktual që ishte në pronësi të tij, Monza.

“I pikëlluar thellësisht, AC Milan kujton vdekjen e të paharruarit, Silvio Berlusconi dhe dëshiron të kontaktojë familjen, bashkëpunëtorët dhe miqtë më të dashur për të ndarë ngushëllimet tona”, shkruan klubi kuqezi.

Gjithashtu edhe Monza shkroi për vdekjen e presidentit të tyre, ku thuhet se ai do të mbetet i pazëvendësueshëm.

“Adriano Galliani dhe gjithë AC Monza vajtojnë humbjen e Silvio Berlusconit: “Një boshllëk që nuk mund të mbushet kurrë, përgjithmonë me ne. Faleminderit për gjithçka President”, shkruan Monza.

Kujtojmë që ish-kryeministri i Italisë dha një kontribut të madh edhe në futboll që nga fundi i viteve 80-ta.

Më saktësisht në vitin 1986 ai e bleu klubin e Milan-it, periudhë në të cilën kuqezinjtë patën suksese të shumta.

Tetë tituj në Serie A, pesë Liga të Kampionëve, tre Kupa të Botës për klube, gjashtë Superkupa të Italisë, pesë Superkupa të Evropës dhe një Kupë të Italisë, ishin titujt e fituar nga Milan-i nën udhëheqjen e Berlusconi-t.

Periudha e tij në krye të klubit zgjati 31 vite, derisa vendosi ta shiste klubin në vitin 2017.

Megjithatë, kjo kohë nuk ishte e ndarjes së tij nga futbolli.

Një vit më vonë, më saktësisht në shtator të vitit 2018, Berlusconi së bashku me shokun e tij të ngushtë, Adriano Galliani-n vendosën ta blejnë klubin e Monza-s, që bënte pjesë në Serie B.

Tre vite më vonë, Monza u inkuadrua për herë të parë në historinë e klubit në Serie A dhe sezoni i tyre debutues ishte mjaft pozitiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore