Sport

Milan-i synon ta transferojë në janar mesfushorin e Lyon-it


Mesfushori i Lyon-it, Houssem Aouar, ishte ndër objektivat e Milan-it në verën e kaluar.

Megjithatë negociatat u ndalën me klubin francez, derisa kuqezinjtë tani e kanë rikthyer përsëri interesimin për futbollistin 23-vjeçar.

Aouar ka kontratë me Lyon-in deri në muajin qershor dhe bisedimet për vazhdimin e saj kanë ngecur.

Pikërisht këtë ngecje kërkojnë ta shfrytëzojnë kampionët e Italisë, për ta afruar mesfushorin me një tarifë të ulët në afatin kalimtar të janarit.

Në të kundërtën, Lyon-i do ta humbiste me parametra zero futbollistin me prejardhje algjeriane.

Në këtë sezon, Aouar ka luajtur vetëm shtatë ndeshje në Ligue 1 me klubin e tij, prej të cilave ka shënuar vetëm një gol.

Pra, një rënie e formës e dukshme nga ai, i cili në tre vitet e kaluara kishte qenë një nga futbollistët kryesorë te klubi i tij.

Sa i përket Milan-it, ata kanë nevojë për një futbollist që luan në këtë repart, sidomos pas dëmtimeve të shumta qe po has skuadra e Stefano Pioli-t.

Mediat italiane raportojnë që edhe vetë futbollisti me pasaportë franceze e dëshiron transferimin në Milan.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore