Milan-i rigjen forcën dhe shemb Venezia-n

SHFLETO
Romario Ismailaj
14.09.2024 22:50
Loading Icons...

Milan-i duket se ka rigjetur formën pas pushimit të fundit të kombëtarve dhe është rikthyer në versionin “djall” për rivalin e saj të sotëm, Venezia-n, duke e mundur me shifrat 4-0 në “San Siro”.

Kuqezinjtë priten Venezia-n në ndeshjen e javës së katërt në Serie A dhe bënë një ndeshje të madhe, shumë të ndryshme nga tre javët e para.

Kapiteni Theo Hernandez realizoi golin e parë të takimit, duke kaluar në avantazh vendasit që në minutën e dytë. Në minutën e 16-të ishte radha e një tjetër francezi për të gjetur rrjetën, Youssouf Fofana.

Milan-i nuk do të ndalej me kaq, pasi në minutën e 25-të, Christian Pulisic do të realizonte me 11 metërsh. Dhe, vetëm tre minuta më vonë, VAR do të akordonte një tjetër penallti për kuqezinjtë, të cilën e shndëroi në gol Tammy Abraham.

Në pjesën e dytë do të ishin vetëm miqtë që do të realizonin por goli u anulua pas ndërhyrjës së VAR-it.

Me fitoren e arritur, Milan-i shkon në kuotën e 5 pikëve, në vendin e tetë në Serie A. Venezia qëndron në fund të renditjes me vetëm 1 pikë.

Më herët në Serie A u zhvilluan takimet Como 2–1 Bologna dhe Empoli 0-0 Juventus.

Të dielën do të vijnë duelet: Genoa – Roma, Atalanta – Fiorentina, Torino – Lecce, Cagliari – Napoli dhe Monza – Inter.

Të hënën luhen dy ndeshjet e fundit të javës së katërt në Serie A: Parma – Udinese dhe Lazio – Verona.

Ismajli neutralizon Vlahovic-in, Empoli barazon me Juventus-in