Sport

Milan-i rifillon bisedimet me Chelsea-n për Ziyech


Milan-i është rikthyer përsëri në sulm për transferimin e futbollistit të Chelsea-t, Hakim Ziyech.

Sipas mediave italiane, kuqezinjtë pritet shumë shpejt t’i nisin bisedimet me londinezët, që kërkojnë ta transferojnë Ziyech-in në Milano që në afatin kalimtar të janarit.

Kampionët në fuqi të Serie A ishin afruar tashmë me Ziyech gjatë verës, por në fund vendosën të investojnë në Charles De Ketelaere nga Club Brugge.

Reprezentuesi belg nuk e ka nisur edhe aq mirë aventurën e tij në futbollin italian dhe tashmë kuqezinjtë i janë rikthyer përsëri pistës Ziyech.

Sipas gazetës “Evening Standard”, reprezentuesi i Marokut është i etur të largohet nga “Stamford Bridge”, pasi në këtë sezon ka filluar vetëm dy ndeshje me ekipin e Chelsea-t

Ai aktualisht është në Botërorin e Katarit me Marokun dhe do të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas kompeticionit.

Te Milan-i shpresojnë që ta marrin lojtarin në janar në formën e huazimit, me opsion blerje në fund të sezonit.

29-vjeçari luan si trekuartist pas sulmuesve, por mund të luajë edhe në krahun e djathtë, ku kampionët e Italisë po kanë probleme.

Kujtojmë që Ziyech është pjesë e Chelsea-t që nga vera e vitit 2020, kur u transferua nga Ajax-i për 40 milionë euro.

Ai deri më tani ka luajtur në 83 ndeshje në të gjitha garat me londinezët, nga ku ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar 10 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore