Sport

Milan-i ofron një lojtar në këmbim të yllit francez


Houssem Aouar vazhdohet të mbetet një nga objektivat e klubit të Milan-it.

Kampionët në fuqi të Italisë nuk e kanë ndërmend të ndalen për mesfushorin e Lyon-it.

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, kuqezinjtë do t’i ofrojnë futbollistin tjetër francez skuadrës së Lyon-it, për të përfituar shërbimet e Aouar.

Bëhet fjalë për Yacinne Adli, i cili ishte lojtar i skuadrës së Bordeaux, por tani nuk po bën pjesë në planet e trajnerit kuqezi, Stefano Pioli-t.

Aouar-it i skadon kontrata me klubin e tij në verën e ardhshme dhe ai siç duket nuk e ka ndërmend ta vazhdojë atë.

Aouar më parë ishte kërkuar edhe nga Juventus-i, ndërkohë që tani interesim për të kanë shprehur edhe Roma në Itali dhe Betis e Real Sociedad në Spanjë.

Kujtojmë që 24-vjeçari është produkt i akademisë së klubit të Lyon-it, i cili luan me ekipin e parë që nga vera e vitit 2016.

Deri më tani, mesfushori francez ka luajtur në 217 ndeshje në të gjitha garat me fanellën e Lyon-it, prej të cilave ka shënuar 41 gola dhe ka dhuruar 35 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore