Sport

Milan-i do të paraqitet me disa mungesa të rëndësishme në ndeshjen hapëse të sezonit


Kampionët në fuqi të Italisë, Milan-i, do ta hapin sezonin 2022/23 në Serie A, ku këtë të shtunë do të luajnë në shtëpi përballë Udinese-s.

Për kuqezinjtë pritet të jetë një ndeshje jo edhe e lehtë, duke pasur parasysh faktin se ata do të vuajnë mungesën e disa lojtarëve të rëndësishëm.

Mesfushori që spikati në sezonin e kaluar, Sandro Tonali, nuk do të jetë i gatshëm në këtë takim.

Gjithashtu edhe Junior Messias nuk do të mund të jap kontributin e tij, derisa dyshja e lartcekur pësoi dëmtim në ndeshjen miqësore kundër Vicenza-s, të cilën “djalli” e fitoi me shifrat 1:6.

Megjithatë ky nuk është fundi. Stefano Pioli do të ketë probleme të shumta edhe në repartin e sulmit, pasi përveç Zlatan Ibrahimovic-it, me shumë gjasë do të mungojnë edhe dy sulmuesit tjerë, Olivier Giroud dhe blerja e kësaj vere, Divock Origi.

Pra, alternativë për qendrën e sulmit është kroati Ante Rebic, i cili luajti në atë pozicion në ndeshjen e fundit miqësore, takim në të cilin shkëlqeu me dy gola dhe një asistim.

Ndërkohë, sa i përket mbrojtjes dhe mesfushës, Pioli pritet t’i ketë në dispozicion të gjithë lojtarët, derisa në këtë ndeshje pritet të debutojë nga stoli edhe blerja e fundit, Charles De Ketelaere.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore