MIE: Anija e Abramovich-it nuk ka hyrë në ujërat territorale të Shqipërisë

SHFLETO
Greta Gjinaj
15.03.2022 15:50
Loading Icons...

Lidhur me lajmin e publikuar në media gjatë kësaj dite, për hyrjen në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, të një mjeti lundrues në pronësi të shtetasit rus, Roman Abramovich, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka sqaruar opinionin publik se anija nuk ka ndaluar apo hyrë në pjesën shqiptare.

“Nga verifikimet e kryera në sistemet e monitorimit të trafikut detar ‘Marine Traffic’, rezulton se mjeti lundrues ‘Solaris’ është nisur nga Porti turistik Marina Montenegro në Tivat, Mali i Zi dhe po lëviz për në jug drejt Detit Mesdhe’, thuhej në njoftimin e MIE-së.

Sakaq u deklarua se mjeti lundrues i mësipërm, aktualisht është duke lundruar në ujërat ndërkombëtare, midis Italisë dhe Shqipërisë, në drejtim të Jugut.

Abramovich është një ndër shtatë miliarderët rusë të shtuar në listën e sanksioneve perëndimore, në përpjekje për të izoluar presidentin rus Vladimir Putin mbi agresioin e tij në Ukrainë që prej 24 shkurtit.

Ndërsa lidhur me lajmin për një anije me flamur rus që po përpunohet në Porto Romano, MIE-ja ka sqaruar se anija për transportin e  mallrave të përgjithshme, me emrin “Neptun” me IMO 9358010 me flamur rus, por e marrë me qira (chartered) nga një kompani nga Britania e Madhe në datën 27.02.2022 është futur në ujërat e Republikës së Shqipërisë dhe ka qëndruar në radën e Portit të Durrësit.

Nga verifikimi i dokumentacionit të anijes, nga ana kapitanerisë së Portit Durrës, ka rezultuar se mjeti lundrues ka pasur mungesa në dokumentacion.

Konkretisht u bë me dije se i mungonte certifikata e sigurimit për përgjegjësinë ndaj ndotjes së detit “BLU CARD” në zbatim të konventës CLC (Civil Liability Convention) dhe certifikata e sigurimit në rast mbytjes në zbatim të konventës “Wreck Removal”.

Për këtë arsye është urdhëruar të dalë jashtë ujërave territoriale të Republikës së Shqipërisë.

Pasi mjeti lundrues ka plotësuar mungesat në dokumentacion dhe pasi është kryer verifikimi me listën e personave të ndaluar nga Bashkimi Evropian, për sanksionet e sjellë nga Ministria e Jashtme, mjeti lundrues i mësipërm në datën 13.03.2022 është lejuar të shkarkojë pajisjet e shpimit për kompaninë SHELL në Portin MBM në Porto Romano.