Pajisje

Microsoft-i, kufje të realitetit të shtuar për ushtrinë


Kompania teknologjike, Microsoft, ka deklaruar se ka arritur një marrëveshje për të shitur kufje të realitetit të shtuar te Ushtria Amerikane bazuar në produktin e saj HoloLens dhe mbështetur nga shërbimet cloud të kompjuterit Azure.

Agjencia e lajmeve, Reuters, ka zbuluar nëpërmjet një zëdhënësi të kompanisë se kontrata mund të jetë e vlefshme për 10 vjet dhe kap shifrën 21.88 miliardë dollarë.

Kompania ka rreth dy vite që punon me ushtrinë për të përmbyllur fazën e prototipizimit të Sistemit të Integruar të Zgjerimit Vizual (IVAS). Ndërsa aktualisht është zhvendosur në fazën e prodhimit të sistemit.

Alex Kipman, përgjegjësi teknik në Microsoft, është shprehur përmes një postimi në blog se kufjet janë krijuar për të ofruar “ndërgjegjësim të zgjeruar të situatës duke mundësuar ndarjen e informacionit dhe vendimmarrjen në një shumëllojshmëri skenarësh”.

Lidhur me vendndodhjen e prodhimit, kufjet priten të prodhohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Microsoft-i është gjithashtu në linjë për të fituar kontratën e llogaritjes së re JEDI prej 10 miliardë dollarësh me Pentagon-in. Mirëpo, kontrata mbetet në mosmarrëveshje për shkak të një procesi gjyqësor të ngritur nga kompania Amazon.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Pentagon-it u kanë thënë ligjvënësve amerikanë në muajin shkurt që nëse mosmarrëveshjet në gjykatë zgjasin, kontratën mund ta zgjidhë Departamenti i Mbrojtjes.

Në vitin 2018, kur Microsoft-i njoftoi për kontratën 480 milionë dollarëshe për të furnizuar ushtrinë me prototipa, rreth 94 punëtorë i kërkuan kompanisë të anulojë marrëveshjen dhe të ndalojë zhvillimin e teknologjive të armëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore