Pajisje

Microsoft-i, bashkëpunim me kolegjet për të plotësuar 250 mijë vende pune në sigurinë kibernetike


Kompania teknologjike, Microsoft, planifikon të punojë me kolegjet e komunitetit në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të plotësuar 250 mijë vende pune në fushën e sigurisë kibernetike gjatë katër viteve të ardhshme.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se Microsoft-i do të ofrojë bursa ose ndihmë për afro 25 mijë studentë dhe do të sigurojë trajnime për mësuesit e rinj dhe ekzistues në 150 kolegje komunitare në të gjithë vendin.

Gjithashtu kompania ka bërë me dije se do të sigurojë materiale të kurrikulës pa pagesë për të gjitha kolegjet e komunitetit, si dhe shkollat ​​katërvjeçare, në vend.

“Gjatë tre viteve të ardhshme, do të vendosim shumë dhjetëra miliona dollarë pas kësaj përpjekjeje”, ka pohuar presidenti i Microsoft-it, Brad Smith. në një konferencë për shtyp.

Ai ka vijuar se “kjo është një mundësi për ne që të fillojmë. Ky nuk është maksimumi i asaj që do të bëjmë”.

Këto përpjekje të Microsoft-it vijnë pasi SHBA-të janë përballur me disa nga hacker-imet më të gjera dhe më të sofistikuara, duke përfshirë sulmin SolarWinds që zyrtarët amerikanë thonë se goditi 18 mijë subjekte, duke përfshirë shumë në qeverinë federale.

Prandaj dhe presidenti amerikan, Joe Biden, mbajti një takim me Microsoft-in dhe kompani të tjera të mëdha teknologjike në muajin gusht me qëllim përmirësimin e sigurisë së zinxhirit të furnizimit të teknologjisë.

Vendet e punës, shkruan “Reuters”, u shfaqën si një shqetësim kryesor nga takimi i Shtëpisë së Bardhë, me zyrtarët që kanë theksuar se gjysmë milioni vende pune mbeten të paplotësuara.

Sipas Smith, shumë nga klientët me të cilët punon kompania dhe të cilët kanë pësuar hacker-ime, mund t’i kishin parandaluar ose zbutur ato duke ndjekur praktika më të mira.

Mirëpo, shumë prej kompanive u mungon personeli i sigurisë kibernetike për ta bërë këtë.

“Duhet të lëvizim shpejt për të trajnuar njerëzit për të plotësuar ato që janë punë të shkëlqyera sipas pikëpamjes tonë”, ka veçuar Smith.

Ai gjithashtu ka vënë në dukje se vendet e punës kishin pagë mesatare prej më shumë se 105 mijë dollarë dhe se për çdo dy vende pune që plotësohen, një mbetet i hapur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore