Lajme

Mickoski: S’do të kalojnë ndryshimet kushtetuese për aq sa do të jem unë kryeministër


Hristijan Mickoski

Pas votimit të Qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, lideri nacionalist i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke folur rreth nevojës për të shmangur veton bullgare dhe për të vazhduar hapat drejt anëtarësimit të vendit të vogël në Bashkimit Evropian (BE), paralajmëroi se përgjatë mandatit si kryeministër s’do të lejojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

“Ky diktat bullgar, nën këto kushte, nuk do të kalojë dhe nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për aq sa do të jem unë kryeministër”, ka thënë Mickoski, ndërsa për dallim nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, ai ka përmendur emrin kushtetues të shtetit gjatë ceremonisë së betimit.

Në vitin 2018 u arrit një marrëveshje për ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve shumëvjeçare dhe duke i hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE. Në bazë të marrëveshjes, emri i ri duhet të përdoret në nivel ndërkombëtar, në të gjitha organizatat dhe institucionet ndërkombëtare.

“Do ta përmend këtë mbiemër të turpshëm gjatë betimit, sepse më kujton për turpin që i është bërë vendlindjes sime, familjes sime dhe nipave të mi të palindur ende. Do të bëj gjithçka, sa të kem jetë, për të përmirësuar këtë padrejtësi. Fatkeqësisht nuk kam fuqi tani”, ka shtuar Mickoski.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka votuar të dielën në mbrëmje qeverinë e re pas zgjedhjeve të 8 majit 2024. E kabinetin qeveritar do ta përbëjnë 16 ministra prej koalicionit në krye me VMRO DPMNE-në, gjashtë prej koalicionit shqiptar VLEN dhe dy prej partisë së majtë politike ZNAM.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore