Mickoski: Procedura që iu kërkua Osmanit në aeroport i kërkohet edhe presidentes së Maqedonisë, mua dhe çdo zyrtari tjetër
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Millanoviç.
Altina Marmullaku
05.08.2024 12:37Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka folur për incidentin që pati presidentja Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit ditë më parë, kur ajo refuzoi të kalonte çantën dhe telefonin e saj nëpër skanerin për verifikim në pjesën VIP të aeroportit.
Mickoski ka deklaruar se i vjen keq për çfarë ka ndodhur, megjithatë, tha se Osmanit i është kërkuar një procedurë standarde nëpër të cilën kalon secili zyrtar, madje edhe ai vetë e po ashtu edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut.
Mickoski tha se me Kurtin “i hapëm edhe temat që për dy shtetet në nivel politik janë të rëndësishme, veçanërisht ngjarja e fundit që ndodhi me 2 gusht me presidenten e Kosovës”.
“Nga të pranishmit në vendin e ngjarjes u nënvizua se sipas informacioneve që i kemi nga zyrtarët, është se u ndoqën standardet e qarta dhe procedurat ndërkombëtare dhe në këtyre procedurave u nënshtrohem edhe unë e edhe presidentja e Maqedonisë dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë pjesën VIP”, deklaroi Micoski.
Duke shtuar se megjithatë ai s’ka shumë informacione vetë për atë pjesë të aeroportit, pasi “unë nuk e përdor atë pjesë, por kaloj si çdo qytetar i rëndomtë”.
Gjithsesi, “na vjen keq dhe nuk dua të përsëritet”.
Ai deklaroi se “presidentja Osmani është e mirëseardhur dhe herën e ardhshme e pres si nikoqir dhe bashkë ta shoqëroj në kohën që do ta kalojë në aeroportin e Shkupit që t’u shmangemi incidenteve”.
Në fund ai shtoi se “Marrëdhëniet me Kosovën duam t’i kemi të mira dhe të frytshme dhe nuk shoh shkas pse të mos ndodhë në të ardhmen”.
Kryeministri maqedonas foli pak edhe për nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve. Tha se shifrat e shkëmbimit tregtar janë të mira, por mund të përmirësohen tutje.
“E theksuam nevojën për rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, diçka e rëndësishme në këtë moment dhe pas të dhënave të fundit është se shkëmbimi për 2023 është gjysmë miliard euro dhe nuk shoh shkas pse të mos jetë më i madh shkëmbimi”.