Lajme

Michel: Komuniteti Politik Evropian mund të luajë rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë


Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se Komuniteti Politik Evropian është një platformë që mund të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne duhet ta përdorim këtë platformë për të ndërtuar më shumë besim, për të pasur më shumë paqe dhe stabilitet. Sepse konfliktet nuk janë problem vetëm për ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt”, tha Michel.

“Ato janë problem për rajonin dhe për kontinentin tonë dhe ne duhet ta përdorim këtë platformë të bashkuar për të ndërtuar më shumë besim, më shumë besim mes nesh, më shumë paqe, më shumë stabilitet”.

Duke folur për migracionin, Michel theksoi se këtu nevojitet bashkëpunimi i të gjithë Evropës, por edhe i vendeve të treta dhe se zinxhirët e kontrabandës duhet të thyhen, sepse kontrabandistët nuk mund të vendosin se kush do të vijë në Bashkimin Evropian.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim të shkurtër për media para nisjes së Samitit të radhës së Komunitetit Politik Evropian ka deklaruar se Kosova më 24 shtator u përball me një akt agresioni nga Serbia.

“Jam këtu për të kërkuar ndihmën e Bashkimit Evropian për të sanksionuar Serbinë”, tha ajo.

E pyetur për ndonjë takim eventual me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në margjinat e këtij Samiti, Osmani tha se nuk ka asgjë të konfirmuar për këtë takim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore