Shqipëria

Bizneset fasone do të mbështeten me 4 miliardë lekë nga Qeveria


Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave pas miratimit të Aktit Normativ të Buxhetit 2024, ka deklaruar se bizneset fasone do të mbështeten me 4 miliardë lekë nga Qeveria.

Ai ka bërë me dije se me aktin normativ parashikohet një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor.

“Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë”, ka thënë ai.

Mete ka deklaruar po ashtu se ekonomia performoi mirë gjatë vitit të kaluar.

Sipas tij, në mbyllje të vitit buxhetor 2023 rezulton se treguesit kryesorë makro-ekonomikë patën përmirësime të ndjeshme, duke vijuar një trend pozitiv, që pritet të jetë i tillë edhe gjatë vitit 2024.

Ministri ka thënë ndër të tjera se borxhi publik zbriti në 59.2% në fund të vitit 2023, nivel më i ulët se periudha para pandemisë dhe gjithashtu më i ulëti që nga viti 2010.

“Balanca primare në fund të vitit 2023 u rikthye në pozicion pozitiv dhe deficiti buxhetor shënoi nivelin prej 1.4% të PBB-së”, ka vijuar ai.

Mete ka shtuar më tej se niveli i të ardhurave arriti në 643 miliardë lekë, ose mbi 6 miliardë euro, me një rritje prej 12.3% krahasuar me vitin 2022 dhe se kjo performancë e mirë po vijon edhe në muajt e parë të vitit 2024.

“Gjatë vitit të kaluar, kontributet e mbledhura në skemën e sigurimeve shoqërore arritën në 5.7% të PBB-së, duke ulur ndjeshëm deficitin e skemës, në afro 0.8% të PBB-së, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë”, ka dalluar ai.

Në muajin janar, Kryeministri Edi Rama ka takuar në “Shtëpinë e Biznesit”, përfaqësues të shoqatës së biznesit fason për të diskutuar për nevojën e transformimit të mëtejshëm të sektorit.

Numri një i Qeverisë u shpreh se do të ketë masa mbështetëse për kapërcimin e sfidave, ndërsa shtoi më tej se do të ketë një rimbursim të shpejtë të TVSH-së përmes një kanali të dedikuar për këtë industri.

Rama përsëriti sërish se duhet kuptuar fakti nga të gjithë aktorët e sektorit se koha e krahut të lirë të punës si avantazh konkurrues ka përfunduar prej disa kohësh tanimë dhe ky fakt përballet vetëm me investime në teknologji e inovacion, e me paga dinjitoze rrjedhimisht.

“Ndërhyrjet e dakordësuara do të stimulojnë pikërisht transformimin dhe investimet në teknologji e inovacion, duke mbështetur me shpejtësi nevojën për likuiditet, nevojën për kreditim të lehtësuar, si edhe për burime njerëzore të kualifikuara”.

Pesë ditë më parë Rama i paralajmëroi përfaqësuesit e bizneseve se anëtarësimi në Bashkimin Evropian – përveç përfitimeve – do të vijë me kosto për ta, nëse nuk marrin masa që tani për t’u adoptuar me legjislacionin evropian.

“Duhet të kalojmë ligje që do ta afektojnë biznesin në mënyra nga më brutalet, përndryshe nuk hyjmë dot. Kjo do të kërkojë përgatitje për adaptim, kështu që për këtë arsye, duhet realisht ta filloni ta mendoni që tani”.

Numri një i Qeverisë u shpreh se nëse legjislacioni për tranzicionin e gjelbër miratohet duhet pastaj një komplet tjetër kornizë për të vazhduar aktivitetin; certifikime, detyrime financiare.

Në fjalën e tij kryeministri përmendi industrinë fasone që aktualisht po përjeton një krizë të burimeve njerëzore.

“E shikoni me syrin tuaj që një vajzë 20-vjeçare të shkojë dhe të ulet para një makine qepëse? Të pranojë të bëjë të njëjtën punë që bëri nëna apo gjyshja e vet? Nuk ndodh kurrë! Atëherë, cila është përgjigja? Do ta transformosh atë fabrikë në një fabrikë që do i adoptohet ndryshe tregut”.

Rama kërkoi edhe një zgjidhje për Dhomat e Tregtisë.

“Kjo mënyrë organizimi, bashkë me 3 shokët e vet bën Dhomën e tij, është Bathorja e Sipërmarrjes. Ligji i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem evropian”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore