Aplikacione

Metaverse nxit tregun digjital të pronave


Ideja për të shpenzuar miliona në botën e digjitales mund të tingëllojë qesharake.

Megjithatë, parashikimet e një të ardhmeje të realitetit virtual po i shtyjnë investitorët të vendosin baste të mëdha për pronat e paluajtshme digjitale.

Jo më larg se këtë javë, kompania me bazë në New York, Republic Realm, ka njoftuar se kishte shpenzuar një rekord prej 4.3 milionë dollarësh aty përmes The Sandbox.

Kjo e fundit është një nga disa faqet e internetit të botës virtuale ku njerëzit mund të shoqërohen, të luajnë lojëra dhe madje të ndjekin koncerte, tregon faqja “Yahoo”.

Blerja ka ardhur pas një tjetre në muajin nëntor prej 2.4 milionë dollarësh në një platformë rivale, Decentraland, nga kompania kanadeze e kriptove, Tokens.com.

Dhe ditë para kësaj, Barbados ka nxjerrë planet për të hapur një “ambasadë metaverse” në Decentraland.

Faqe të tilla interneti e konsiderojnë veten si një prototip i metaverse-it, ndryshe të ardhmes së internetit ku përvoja si biseda me një mik do të ndjehen si ballë për ballë falë kufjeve të realitetit virtual.

Metaverse-i ka qenë kryefjala e muajve të fundit, rritur në muajin tetor kur kompania mëmë e platformës Facebook u riemërua si Meta.

Emër i ri ky që përfaqëson zhvendosjen drejt realitetit virtual dhe që njohu miliona njerëz shumë shpejt me këtë koncept të ri të internetit.

Për Cathy Hackl, këshilluese teknologjike që këshillon kompanitë për të hyrë në metaverse, nuk është befasuese që tregu i metaverse-it po lulëzon.

Gjithashtu nuk është për t’u habitur se kjo po ndodh edhe duke krijuar një ekosistem të tërë rreth pasurive të paluajtshme virtuale, nga qiratë te ndërtuesit.

“Po përpiqemi të përkthejmë mënyrën se si i kuptojmë të mirat fizike në botën virtuale”, ka treguar ajo.

Teksa mund të kalojë pak kohë përpara se këto faqe të funksionojnë si metaverse të vërteta, toka digjitale tashmë funksionon si një aset ashtu si toka e vërtetë, ka dalluar Hackl.

“Mund të ndërtojnë, mund të japin me qira, mund të shesin”, ka shtuar ajo.

Që në vitin 2006, një zhvillues i pasurive të paluajtshme prodhoi lajme në media pasi fitoi një milion dollarë nga toka e shitur në faqen e botës virtuale, Second Life.

Paçka se Second Life mbetet aktive, përkrahësit e rivalëve të saj të gjeneratës së ardhshme theksojnë një ndryshim kryesor.

Në Decentraland, çdo gjë, nga toka në vepra arti virtuale, vjen në formën e një tokeni të pandryshueshëm, ose NFT-je.

Dhe disa njerëz kanë shpenzuar dhjetëra mijëra dollarë për këto sende digjitale.

Por investimi nuk është pa rreziqe, veçanërisht duke pasur parasysh paqëndrueshmërinë e kriptomonedhave të përdorura për të blerë NFT.

Teksa koncertet virtuale në faqet si Roblox-i kanë tërhequr dhjetëra miliona njerëz, të dhënat e disponueshme sugjerojnë se trafiku në metaverse mbetet shumë prapa atij të faqeve të mediave sociale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore