Shqipëria

Meta uron Begajn: Suksese në detyrën e lartë


Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta, ka postuar në median sociale Facebook një fotografi me Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj.

Në postim, Meta shkruan se ishte “kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, Bajram Begaj dhe t’i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve”.

Ditën e djeshme, Presidenti i zgjedhur i Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi takime me paraardhësit e tij në detyrë për t’u këshilluar mbi funksionin e ri që do të ushtrojë për pesë vjetët e ardhshme.

Në takim me Begajn janë ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi.

Tryeza e përbashkët po zhvillon bisedimet në Pallatin e Brigadave, teksa të gjithë ish-krerët e shteteve, si edhe Begaj, janë eskortuar nga Garda e Republikës.

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u zgjodh si president në seancën e 4 qershorit, me 78 vota pro, katër kundër dhe një abstenim.

Detyrën, ndërkaq, e merr zyrtarisht më 24 korrik, kur i mbaron mandati kreut aktual të shtetit, Ilir Meta.

Kush është Bajram Begaj

Begaj u lind më datë 20 mars të vitit 1967, në Rrogozhinë. Ai do të përfundonte studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.

Gjeneral Major Begaj ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri, si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Gjatë karrierës 31-vjeçare ushtarake ka kryer Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen; Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë, Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, Kursin e menaxhimit spitalor dhe Kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Kursin epecializimit në fushën e mjekësisë dhe Kursin e Shëndetësisë, në Greqi.

Sakaq, Gjeneral Major Begaj ka drejtuar stërvitjen ushtarake “Defender Europe 2021” dhe është një nga emrat, i cili gëzon konsideratë të lartë nga SHBA-të.

Ndërkohë që, në Forcat e Armatosura ka mbajtur një sërë detyrash, mes të cilave Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar.

Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore