Shqipëria

Meta: Raporti i FMN-së, alarm për Qeverinë, Kuvendin dhe shoqërinë


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka reaguar për raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbi parashikimin e rritjes ekonomike.

Sipas tij, raporti tregon se sa serioze është çështja dhe e ka konsideruar situatën një alarm për qeverinë.

“Një shqetësim serioz dhe një alarm për Qeverinë, Kuvendin dhe të gjithë shoqërinë, parashikimi i errët që bën FMN-ja për rritjen ekonomike të Shqipërisë për këtë vit”, ka thënë ai.

Meta ka treguar se me një nivel rritje prej dy për qind, Shqipëria ka rritjen më të ulët në rajon.

Një rritje që sipas tij, mund të degradojë në stanjacion ekonomik.

Dhe se bllokuesit e rritjes ekonomike të vendit janë financimi i investimeve jo produktive nga buxheti, efiçencë e ulët e investimeve për shkak të korrupsionit, mos lejimi i investimeve private në energji, monopolizimi i ekonomisë, si dhe pasojat e rritjes galopante të çmimeve.

Çfarë thotë raporti?

Raporti më i fundit nga FMN-ja mbi rritjen ekonomike në kushtet e luftës në Ukrainë, e lë Shqipërinë si vendin me rritjen më të ulët ekonomike në rajon, të parashikuar për vitin 2022 dhe ndër më të ulëtat sa u përket gjithë vendeve në zhvillim në Evropë.

Parashikimi i mëparshëm për rritje, shkonte në 4.5% për vitin 2022. Mirëpo, në parashikimin e fundit nga FMN, ajo pritet të jetë vetëm 2%.

Të vetmet vende me rritje më të ulët, pritet të jenë ato shumë pranë konfliktit në Ukrainë.

Vetë Ukraina mendohet se do të pësojë një rënie ekonomike prej 35% për shkak të luftës. Rusia agresore, nga ana tjetër, do të ndalet në minus 8.5%.

Në shifra negative radhitet edhe Bjellorusia me minus 6.4%. Teksa, Moldavia mbyll radhitjen e vendeve me rritje më të ulët se Shqipëria, me vetëm 0.3%.

Sa u përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi do të shohë rritjen më të madhe ekonomike, me 3.8%. Në 3.5% rritje ndalet Serbia dhe Maqedonia e Veriut në 3.2%.

Kosova do të shohë rritje me 2.8%, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina me 2.4%.

Pra, ndër vendet e rajonit, Shqipërinë e lënë pas të gjithë.

Parashikime jo shumë optimiste nga FMN vijnë edhe sa u përket viteve të ardhshme, ku viti pasues projektohet me rritje 2.8% nga organizata ndërkombëtare.

Në vitin 2027, ndërkaq, projeksioni shkon në 3.4% rritje ekonomike vjetore.

Lufta në Ukrainë ka goditur fort jo vetëm rajonin, por gjithë botën, duke ngadalësuar rimëkëmbjen e post-pandemisë COVID-19 në tërësi dhe duke goditur mbi të gjitha vendet me ndikim të vogël ekonomik në botë.

Në terma të gjerë, asnjë vend i rajonit nuk do ta kalojë rritjen vjetore me 3.5% deri në vitin 2027, kur pritet në varësi të kushteve të luftës të ketë përmirësim të ekonomisë evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore