Shqipëria

Meta, Presidenca dhe Kushtetuta


Të mërkurën e 9 qershorit, kuvendarët e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë kryen një nga aktet më të pazakonta që ka ndodhur në historinë mbi tredekadëshe të pluralizmit.

Gjatë seancës plenare, ata votuan raportin e Komisionit të Posaçëm Hetimor. Me plot 104 vota pro, ndërsa nevojiteshin veç 94 vota, Ilir Metën e shkarkuan nga detyra si president i Republikës së Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë e shkarkoi atë nga detyra, të cilën e ushtronte prej katër vjetësh dhe e parashikuar deri në përfundim të mandatit në korrik 2022.

Në këtë betejë në distancë, që zgjat prej tre muajsh, tanimë i ka kaluar stafeta Gjykatës Kushtetuese. Do të jetë ky institucion që do të vendosë nëse Meta do të qëndrojë, apo jo në detyrën e tij si kreu i shtetit.

A ishte e ligjshme rruga e ndjekur nga ngritja e Komisionit Hetimor deri në Kuvend?

Sipas analistit Frrok Çupi, Kuvendi kishte të drejtën e plotë për ta shkarkuar presidentin, pasi “jemi në një republikë parlamentare”.

Në vijim të bisedës me Albanian Post (AP), ai thotë se “është ekskluzivitet i Parlamentit emërimi ose shkarkimi i presidentit”.

Nga ana tjetër, edhe pse e cilëson të ligjshëm shkarkimin, ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, mendon se “ngritja e Komisionit Hetimor nuk është i drejtë”.

Sipas ekspertit të zgjedhjeve, për AP-në, “një Komision i tillë, i cili bie ndesh me frymën, ngrihet veçse në raste ekstreme”.

Cili është roli i Gjykatës Kushtetuese?

Në vazhdim të argumentimit të tyre, ekspertët e kontaktuar nga AP-ja, bien dakord se Gjykatës Kushtetuese i mbetet detyra për të thënë fjalën e fundit mbi çështjen.

Analisti Çupi i ka cilësuar procedurat të ndërmarra deri më tani si “të stërnormalizuara”.

Sipas tij, transferimi në Gjykatën Kushtetuese është i domosdoshëm për problemet e kësaj rëndësie.

Kuvendi i Shqipërisë duhet t’i dërgojë brenda pesë ditëve vendimin që mori Gjykatës Kushtetuese.

Më pas, ajo ka në dispozicion një periudhë deri në tre muaj për ta shqyrtuar kërkesën për gjykim dhe për të marrë vendimin për trajtimin e saj në seancë.

Këto vendime merren me pesë vota pro, si për ta pranuar kërkesën, ashtu edhe për të marrë vendimin në seancë.

Gjykata Kushtetuese duhet të informojë presidentin e Republikës, sepse Kuvendi i ka marrëdhëniet vetëm me Gjykatën.

Sipas Kumes, Gjykata ka të drejtën, nëse e sheh të arsyeshme, t’i drejtohet për opinion edhe Komisionit të Venecias.

“Është një vendimmarrje shumë e rëndësishme, sepse do të ketë si pasojë edhe krijimin e një precedenti, i cili nëse nuk do të jetë i mirëndërtuar, mund të krijojë hapësira për situata të padëshirueshme”, analizon ai.

Gjykata përbëhet nga nëntë anëtarë. Tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre zgjidhen nga Kuvendi dhe tre anëtarë nga Gjykata e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore