Shqipëria

Meta, ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-senatorit amerikan


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-kandidatit amerikan për president, Bob Dole.

Me anë të një postimi në median sociale Facebook, Meta shkruan se ai ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.

“Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës”, shkruan Presidenti.

Ai vdiq në moshën 98-vjeçare.

Në shkurt, Dole zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer të mushkërive të fazës 4 dhe tha se po fillonte trajtimin.

Bob Dole kishte një rol vendimtar me kontributin e tij ndaj çlirimit dhe lirisë së Kosovës.

Vizita e tij në vitin 1990 në Prishtinë shënon kthesën vendimtare për vendin.

Ajo shpalosi qartë në arenën ndërkombëtare realitetin e hidhur, shkeljen dhe abuzimet e të drejtave njerëzore që po ndodhnin në Kosovën e viteve 90-t nga regjimi serbo-jugosllav.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore